Vrasja e dy protestuesve të Vetëvendosje!-s nga policia, të shtunën, është kulmi i një represioni të vazhdueshëm fizik e medial që po ushtrohet kundër mendimit ndryshe në Kosovë. Arsyetimet se intervenimi i policisë ka qenë një parandalim i protestuesve për t’ua mësyer institucioneve kanë qenë të bazuara në paragjykime. Është plotësisht e qartë se policia ka pasur urdhër që të thyejë fizikisht dhe psiçikisht turmën e protestuesëve në mënyrë që të përçohet mesazhi se çfarëdo mendimi ndryshe ndaj Pakos së Ahtisaarit është i patolerueshëm.

Çfarëdo versioni ndryshe nga ai zyrtar për statusin e ardhshëm që mëton të thyejë paqen e arritur mes Ekipit të Unitetit, bashkësisë ndërkombëtare dhe mediave nën kontrollin e plotë të tyre është i papranueshëm. Indikatorë që dëshmojnë këtë janë paralajmërimet e pandërprera të policisë kosovare dhe asaj të UNMIK-ut se nuk do të lejojnë askënd që të prish rendin dhe qetësinë në Kosovë. Dhe tashmë u pa se “rendi dhe qetësia” po konsiderohet se prishet vetëm duke paraqitur një mendim ndryshe. 

Në vazhdimësi pretendimi i ushtrimit të dhunës nga ana e protestuesve të Vetëvendosje!-s është ekzagjeruar nga ana e zyrtarëve policor, ata të institucioneve të Kosovës dhe nga një pjesë e mediave në Kosovë. Në asnjë rast në protestat e mëhershme të Vetëvendosje!-s nuk ka pësuar lëndim serioz asnjë polic apo pjestar tjetër i administratës kosovare apo ndërkombëtare.

Në protestën e 28 Nëntorit të vitit të kaluar qe ngritur një lloj linçimi medial kundër Vetëvendosje!-s edhe pse në të vërtet kishte vetëm disa xhama të thyer nga hedhja e ngjyrës në këto ndërtesa. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në ekzagjerimin e klasifikimit të protestave të Vetëvendosje!-s si të dhunshme apo të “dëmshme për procesin” do duhej të ndiheshin përgjegjës sot duke qenë se ka qenë ky qëndrim parapërgatitja për represionin që është ushtruar të shtunën dhe që po vazhdon të ushtrohet kundër zyrave të Vetëvendosje!-s. Është tashmë e qartë se represioni kundër Vetëvendosje!-s është sistematik dhe i pabazuar.

Në asnjë moment Vetëvendosje! nuk ka qenë kërcënim serioz i sigurisë në Kosovë, por ka qenë vetëm kërcënim serioz i variantit zyrtar të përcaktimit të së ardhmes së Kosovës. Burim i frikës paranoike është pikërisht pasiguria e institucioneve dhe liderëve institucional e partiak të Kosovës në lidhje me kompromiset që i kanë bërë rreth statusit dhe rregullimit të ardhshëm kushtetues të Kosovës. Në një masë të konsiderueshme mediat për komunikim masiv kanë qenë për muaj të tërë të dominuara nga verzionet zyrtare të rezultatit të negociatave të Vjenës.

Protesta në rrugë kundër liderëve të shurdhër ndaj mendimeve tjera ka qenë vetëm produkt i sjelljes indiferente të liderëve kosovarë ndaj mospajtimeve të grupeve civile të informuara mirë për atë që po negociohet në emër të kosovarëve. Sot kosovarët përballohen me një mungesë totale të informacionit mbi të ardhmën e tyre. Shumica e njerëzve nuk e kanë të qartë se Kosovën në Vjenë e përfaqësuan liderë të korruptuar e të inkriminuar dhe për pasojë u dorëzuan ndaj të gjitha kërkesave të negociatorëve.

Shumë pak kosovar janë të informuar për përmbajtjen e vërtet të Pakos së Ahtisaarit, e cila esencialisht krijon një entitet të fortë serb jo vetëm me mundësinë e një autonomie por edhe me mundësinë e lidhjeve direkte me Serbi. Shumë pak kosovar janë të njoftuar me mundësinë shumë reale të krijimit të kushteve për një sovranitet të dyfisht në Kosovë, atë të Serbisë dhe të Kosovës. Të gjitha këto kanë çuar drejt një frustrimi të madh të njerëzve të mirëinformuar mbi kompromiset në dëm të shumicës së popullsisë kosovare. Edhe ajo pjesë e popullatës që nuk ka protestuar të shtunën apo që e përkrah Ekipin Negociator është në ankth sepse përveç nga negociatorët kosovarë ata nga askush tjetër se kanë ndëgjuar fjalën pavarësi!

Këto janë arsyet e vërteta për mllefin e shfaqur në protestat e Vetëvendosje!-s dhe për frikën paranoike të liderëve institucional nga një dalje nga kontrolli e situatës. Siguria e një vendi nuk mund të kërcënohet nga një grup i vogël, e sipas zyrtarëve të institucioneve kosovare dhe ndërkombëtare është një grup i vogël që po proteston në Kosovë. Pse po vendoset për të ardhmen e Kosovës pa një liri të debatit? Nëse dokumentet që po krijohen mbi të ardhmen e Kosovës janë në pajtim me vullnetin e popullit ashtu siç po deklarojnë liderët politik të Kosovës, atëherë pse vendimet po ndodhin larg nga mundësia e kontestimit të këtyre dokumenteve nga ana e njerëzve që mendojnë ndryshe? Janë këto pyetje të pasqaruara që krijojnë ankth dhe pasiguri te kosovarët.

Mungesa e debatit në shoqërinë tonë për të ardhmen e vendit është shumë e dëmshme, pasojat e së cilës do i përjetojmë ca vite më vonë. Dhe këtu bashkëfajtorë janë Ekipi Negociator, Kuvendi dhe mediat që kontrollohen nga to të cilat po i shpërlajnë trurin popullit.

Këto janë arsyet pse apriori janë kualifikuar si të dhunshme protestat e Vetëvendosje!-s dhe është parapërgatitur opinioni për një përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë, e cila kulmoi në protestën e së shtunës. Zero tolerancë për mendimin ndryshe! Vdekjet e protestuesve kanë ndodhur edhe pse deri në momentin e intervenimit të policisë nuk është thyer asnjë xham, nuk është lënduar asnjë polic. Protestuesit kanë tentuar të vazhdojnë marshimin në sheshin “Nëna Tereze”.

Natyrisht kjo protestë ka mundur të ketë qenë më mirë e organizuar nga organizatori, ka mundur të jetë më e qetë. Mirëpo as tentimi për ta kaluar kordonin e policisë dhe as paragjykimi se protestuesit do të futeshin në institucione nuk janë arsye për të përdor plumba kundër një turme krejtësisht duarthatë. Vrasja e protestuesve dhe deklarimet e menjëhershme të institucioneve dhe liderëve politik se “forca e përdorur ka qenë proporcionale” do duhej të ishte dështimi final i këtyre institucioneve dhe moment reflektimi mbi mënyrën krejt jodemokratike të udhëheqjes së vendit. Në këtë situatë gjëja më normale që do duhej të ndodhte do ishte dorëheqja e kryeministrit Agim Çeku, ministrit të brendshëm, Fatmir Rexhepi, komandantit të ShPK-së, Sheremet Ahmeti, komisionerit të policisë, Stephen Curtis. Kjo do të duhej pasuar me një seancë parlamentare ku do të debatohej hapur mbi tërë atë që po ndodhë në procesin e përcaktimit së të ardhmes së Kosovës.

Është momenti i fundit kur liderët kosovar do duhej të silleshin me përgjegjësi ndaj vendit të tyre e jo të vazhdojnë të shfaqen si përfaqësues të palës ndërkombëtare për marrëdhënie me publikun kosovar. Ju, Ekipi Negociator dhe institucionet vendore jeni përgjegjës për situatën në të cilën gjendemi sot! Prandaj, çdo veprim dhe çdo pasojë, qoftë për mirë apo për keq, është përgjegjësi e juaja direkte!