Ministria e Zhvillimit Ekonomik së bashku me Operatori, Sistemi, Transmisioni dhe Tregu (KOSST) lëshuan sot një komunikatë për media si përgjigjeje ndaj hulumtimeve të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese dhe Organizatës ÇOHU! rreth keqpërdorimeve në KEK.
Në reagimet e këtyre dy institucioneve publike nuk ceket asgjë konkrete nga hulumtimet e bëra, por vetëm se theksohen edhe një herë gjetjet e bëra publike nga dy hulumtimet e QKGH dhe ÇOHU!. Në hulumtimin të cilit këto dy institucione i referohen: KeK: Korporata e Korrupsionit(http://www.preportr.com/sq/Asetet-publike-dhe-privatizimi/KeK-Korporata-e-Korrupsionit-176),konstatohet se praktikisht nuk është bërë asgjë për të ndalur obstruksionet e Serbisë importit të energjisë.
“Do të ishim shumë mirënjohës nëse Sekretariati i Energjisë do ta merrte në konsiderim propozimin tonë, shkruan ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në një letër drejtuar Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, më 23 korrik të vitit 2012. Kjo letër e ministrit Beqaj vjen katër vjet pas shkresës që KOSST ka dërguar një ankesë formale (gusht 2008) për Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore, me subjektin për shkeljen e dispozitave të Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore.
Reagimet e KOSST dhe MZHE-së vetëm konfirmojnë gjetjen e raporteve hulumtuese të Preportr rreth mos-veprimit në lidhje me obstruksionet e Serbisë ndaj Kosovës në tregun e energjisë, të cilat vendit tonë i kushtojnë dhjetëra- miliona euro.
Në shkrimet e Preportr është konstatuar se nuk është ndërmarrë asgjë për ta ndryshuar këtë situatë. Po ashtu aty është theksuar se zyrtarët publik nga (KEK, KOSST) nuk kanë dhënë sqarime madje as për ankesat eventuale, të cilat KOSST i nxjerr tek pas botimi të raporteve të Preportr. Së pari, këto informacione vetëm konfirmojnë se autoritetet kosovare thjesht vetëm e kanë pranuar obstruksionin e Serbisë, sepse që nga letra e vitit 2008 e deri në vitin 2011 nuk është ndërmarrë asnjë hap edhe pse sjellja e Serbisë në tregun e energjisë ka vazhduar të jetë e njëjtë. Për më tepër, nga vetë informata e lëshuar nga KOSST, Serbia nuk ka ndryshuar sjellje as pas kërkesës së Sekretariatit për Komunitetin e Energjisë për Evropën Juglindore, kurse Kosova thjesht ka vazhduar të blejë energji me çmim shumëfish më të lartë sesa ai i tregut.
Tek në Korrik të vitit 2012 ministri Beqaj, madje pas insistimit tonë për sqarime nga KEK-u rreth këtij obstruksioni, sqarime që nuk i kemi marrë asnjëherë nga kjo kompani, përmes një letër në të cilën realisht tregohet se autoritetet kosovare as që ka ndërmend të ndërmarrë diçka rreth dëmit dhjetëra milionësh që Serbia i shkakton Kosovës me vite të tëra. MZHE thjesht lut sekretariatin ta marri në konsiderim shqyrtimin e ankesave të palës kosovare duke mos e paragjykuar përfunimin e vendimit të Sekretariatit për Komunitetin e Energjisë për Evropën Juglindore.
Në shkrimet e Preportr thuhet se Kosova ka edhe rrugë tjera që potencialisht mund t’i shfrytëzojë për t’iu ikur obstruksioneve të Serbisë në tregun e energjisë. Kosova ka inter-koneksion elektro-energjetik me Malin e Zi dhe me Maqedoninë. Kjo praktikisht do të thotë se Kosova është e lidhur edhe me Shqipërinë dhe mungesa e një linje me këtë shtet mund të tejkalohet duke pasur parasysh se Shqipëria ka një linjë të bërë rishtazi me Malin e Zi. Në kërë kontekst, asnjë moment nuk mund të flitet për ndonjë veprim të autoriteteve kosovare të energjisë apo edhe qeverisë për të shmangur obstruksionin e Serbisë që zgjatë me vite të tëra.
Pra, ne konsiderojmë se edhe reagimi i MZHE edhe reagimi i KOSST vetëm sa përforcon gjetjet e raporteve hulumtuese të bëra nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, përkatësisht gazetës Preportr dhe Organizatës ÇOHU!