Aspekti i parashkrimit/vjetërsimit të lëndëve penale është mjaft shqetësues në gjykatat e Kosovës. Nga viti 2001 deri me 2011, kemi një numër të madh të lëndëve penale të cilat janë vjetërsuar, dhe si pasojë e kësaj, gjykatat nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim juridik  për të ndjekur penalisht të dyshuarit, ose për të arrestuar të dënuarit.

Nga gjithsej 4197 lëndë penale që janë parashkruar nga 14 Gjykata Komunale që janë marrë në shqyrtim, mbi 54%  e tyre që janë të kategorizuara i përkasin parashkrimit relativ, ndërsa 46% i përkasin parashkrimit absolut. Për lëndët e parashkruara në aspektin relativ duhet të fajësohen gjyqtarët, të cilët duke mos ndërmarrë asnjë veprim, kanë lejuar vjetërsimin e këtyre lëndëve.

Gjykata në vend se të luftojë veprat e ndryshme të dënuara me ligjet në fuqi, të gjykojë dhe të dënojë shkelësit  e ligjeve në fuqi dhe të Kodit Penal të Kosovës, ata me këto veprime  kanë amnistuar veprat e kryera si dhe kryesitë e tyre.  Gjykatësit, duke i mbajtur lëndët e tyre nëpër sirtarë (duke mos i shqyrtuar), dhe njëkohësisht duke lejuar që këto lëndë të parashkruhen, kanë pamundësuar ndërmarrjen e çfarëdo veprimeve penale kundër veprave të ndryshme dhe shkaktarëve të tyre. Me këtë veprim, gjykatësit kanë shkelur rëndë mbi parimin e një gjykimit të drejtë dhe fer, duke mundësuar kështu vendosjen e një precedenti të rrezikshëm në këtë drejtim. 

Ky raport monitorues, tregon që në mesin e lëndëve që janë parashkruar ka edhe lëndë që i përkasin kapitullit të KPK-së: “Vepra kundër detyrës zyrtare”, që klasifikohen si vepra të korrupsionit. Por po ashtu, ky raport monitorues tregon që ka edhe vepra që janë parashkruar e që i përkasin kapitullit të KPK-së: “Vepra penale kundër të drejtës ndërkombëtare”, e është në realitet, parashkrimi i tyre është në kundërshtim me Kodin Penal të Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare. 

Edhe përkundër miratimit të Strategjisë Shtetërore për Zvogëlimin e Lëndëve të Grumbulluara, në tetor të vitit 2010, prapë se prapë trendi i lëndëve të parashkruara ka vazhduar edhe në vitin 2011. Për më keq, ka tendenca të qarta që parashkrimi i lëndëve të vazhdojë edhe në të ardhmen nëse nuk fillohet të ndërmerren masa disiplinore dhe penale për ata gjyqtarë të cilët lejojnë vjetërsimin e lëndëve, për të cilat kanë qenë të ngarkuar që t’i shqyrtojnë. 

Për këtë çështje, disa herë është përmendur se janë filluar hetime për gjyqtarët që kanë lejuar vjetërsimin e lëndëve, nga ana e Zyrës së Prokurorit Disiplinor pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, “por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me shkarkimin e tyre” . Disa herë është potencuar fakti se gjykatat po lejojnë më qëllim parashkrimin e lëndëve penale me një interes të caktuar, dhe se do të ndërmerren masa ndaj tyre, por në praktikë akoma nuk kemi ndonjë rezultat. Deri me sot, nuk kemi asnjë rast që një gjyqtar është shkarkuar për shkak se ka lejuar vjetërsimin e lëndës për të cilën ka qenë i ngarkuar ta shqyrtoj. 

Sipas legjislacionit penal në fuqi, përgjegjës për lëndët që janë parashkruar në aspektin relativ janë gjykatat (Gjyqtarët kompetent), dhe ndaj tyre është dashur të ndërmerren masa disiplinore dhe penale për shpërdorim të detyrës zyrtare, dhe lejim më qëllim të parashkrimit të mijëra lëndëve penale që kanë qenë në duart të tyre.