Proceset e zgjedhjeve në Kosovë përgjithësisht kanë qenë demokratike, me integritet, të vlerësuara pozitivisht nga organizatat vendore e ndërkombëtare, si dhe me rezultate të pranuara nga partitë politike. Megjithatë, gjatë proceseve zgjedhore pati edhe parregullsi të shumta dhe të ndryshme që kanë dëmtuar procesin zgjedhor, e në disa raste edhe integritetin zgjedhor, siç kishte ndodhur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010. Këto zgjedhje mbahen mend edhe se si “votuan shumë të vdekur”, e kutitë u mbushën me vota të manipuluara dhe dalja pati rezultuar të jetë deri në 120%.

Sipas raportit zyrtar të zgjedhjeve të vitit 2010 nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve, ndër parregullsitë kryesore kanë qenë mungesa e materialeve teknike në vendvotime, propaganda brenda vendvotimeve, tentimet për votim ose asistim më shumë se një herë, përfshirja në manipulime kryesisht e komisionerëve të zgjedhjeve, si dhe ndërprerja e energjisë elektrike. Edhe numërimi i votave shfaqi parregullsi, kryesisht fletëvotime të tepërta në raport me votuesit e regjistruar dhe falsifikim nënshkrimesh.

Gjithashtu edhe nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Parlamentit Evropian për zgjedhjet e vitit 2010 kishin raportuar për manipulime të njëjta gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit.

Zgjedhjet e viteve 2014 dhe 2017, sipas raporteve nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Parlamentit Evropian u cilësuan gjithashtu me probleme të vazhdueshme, por me një përmirësim gradual. Ndër problemet kryesore u raportuan blerja e votave, presioni ndaj administratës publike për të përkrahur partitë specifike, si dhe manipulime gjatë numërimit në disa vendvotime.  

Ndërkaq zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2021 u konsideruan zgjedhje me një rritje të transparencës dhe ndryshimeve në procesin teknologjik të votimit duke filluar me digjitalizimin e procesit të verifikimit të votuesve.

Domosdoshmëria e ndryshimeve ligjore

Pas shkeljeve të shumta në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, u bë i domosdoshëm reformimi i Kodit Penal të Kosovës. Kodi i ri penal u reformua në vitin 2013 me disa ndryshime, seksioni lidhur me veprat penale kundër të drejtave zgjedhore ndryshoi në mënyrë të konsiderueshme.

Ky kod përfshinte shkeljen e së drejtës për t’u kandiduar, kërcënimet ndaj kandidatëve, parandalimin e ushtrimit të së drejtës për votim, shkeljen e vendimit të lirë të votuesve, keqpërdorimin e zyrtarëve, dhënien ose marrjen e ryshfetit lidhur me votimin, keqpërdorimin e të drejtës për votim, shkeljen e konfidencialitetit në votim, pengimin e procesit të votimit, falsifikimin e rezultateve të votimit dhe shkatërrimin e dokumenteve të votimit.

Edhe sot korniza ligjore rregullon dhe gjykon parregullsitë që ndodhin gjatë një procesi zgjedhor dhe çdo vepër penale që është e përcaktuar me ligj, e ka të përcaktuar edhe masën e trajtimit apo sanksionin penal. Rregullat rreth procedurave, të drejtave, detyrimeve dhe ndalesave për zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë, të cilat mund të kalojnë në sferën penale përcaktohen në dy ligje, atë për Zgjedhje të Përgjithshme dhe Zgjedhje Lokale në Republikën e Kosovës.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës mbetet baza e legjislacionit penal për sanksionimin e veprimeve kriminale në zgjedhje, i cili u ka kushtuar rëndësi të veçantë këtyre veprave. Ky kod parasheh veprat penale për çdo kënd që dëmton procesin e votimit, për të cilat vepra dënimi është deri në 5 vjet burg.

E siç ndodh zakonisht në Kosovë, rregullimi ligjor nuk është përgjithësisht problem, e në shumë raste edhe organet e ndjekjes e kryejnë mirë punën duke ngritur aktakuza me fakte për individë që kanë shkelur ligjin, si në rastin konkret të manipulimit të zgjedhjeve, që është vepër e rëndë pasi që cenohet dhe manipulohet vullneti i qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Për këto vepra dënimet e gjykatave janë tejet të buta.

Mbi 90% e dënimeve me kusht dhe gjoba

Sipas të dhënave që Preportr ka marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), mbi 90% e vendimeve që janë marrë nga gjykatat e Kosovës  për ata që kanë manipuluar me vullnetin e qytetarëve në proceset zgjedhore janë me kusht dhe me gjoba.

Sa i përket Gjykatës Themelore të Prishtinës numri më i lartë i rasteve është regjistruar në vitin 2015 (28 raste) dhe në vitin 2021 (23 raste). Shumica e dënimeve kanë qenë me kusht ose gjobë, ndërsa për disa raste mungojnë të dhëna për llojin e dënimit.

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, rritje të ndjeshme të rasteve ka pasur në vitin 2021 me 52 raste, në masë të madhe dënim me kusht.

Të dhënat nga Gjykata Themelore e Prizrenit tregojnë një numër të vogël të rasteve, me dënime kryesisht me kusht ose me gjobë. Ndërkaq, të dhënat për Gjykatën Themelore të Mitrovicës dhe të Gjakovës tregojnë se disa raste përfunduan me pafajësi ose lirime, ndërsa për një pjesë të konsiderueshme nuk ka të dhëna për vendimet.

Sa i përket Gjykatës Themelore të Pejës, ka pasur të dhëna vetëm për vitet 2011 dhe 2018. Këto vite kanë shënuar numër më të madh të dënimeve me burgim, ndërkaq në vitet e fundit dominuan dënimet me kusht dhe me gjobë, përfshirë edhe masa shtesë si dhe heqje e të drejtës për t’u zgjedhur. Ndërsa për të dhënat për Gjykatën e Ferizajt nga viti 2020 e tutje, janë regjistruar dhjetëra raste me dënime me kusht, me gjoba dhe disa raste me pafajësi.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë për Preportr se nuk komentojnë apo vlerësojnë vendimet e gjykatave.
Ai thotë se KQZ në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore, bashkëpunon rregullisht me institucionet e drejtësisë dhe merr pjesë në proceset gjyqësore kur kjo kërkohet, në funksion të zbatimit të legjislacionit zgjedhor dhe mbrojtjes së integritetit të zgjedhjeve.

“Me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor, personat e dënuar, nuk përfshihen si pjesë e trupave zgjedhore”, ka thënë Elezaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni kushtetues përgjegjës për organizimin dhe administrimin e të gjitha proceseve zgjedhore në Republikën e Kosovës. Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit janë gjithashtu institucionet kryesore të cilat kanë për detyrë që gjatë kohës së zgjedhjeve të garantojnë aspektet e sigurisë, përkatësisht zgjedhje të lira dhe demokratike.  

Preportr i ka dërguar pyetje koordinatores nacionale për zgjedhje në sistemin prokurorial, Laura Pula, për të marrë më shumë informacione lidhur me rolin e prokurorisë gjatë ditës zgjedhjeve, si dhe një koment lidhur me faktin se shumica e të akuzuarve për manipulim të votave dhe vepra tjera të sanksionuara nga Kodi Penal lidhur me zgjedhjet, po ndëshkohen me kusht dhe me gjoba, por edhe pas insistimit dhe pritjes për disa jave, nuk kemi marrë përgjigje.

Por, nga komunikatat e Prokurorisë së Shtetit vërehet se gjatë ditës së zgjedhjeve angazhohen mbi 80 prokurorë dhe staf mbështetës, të cilët mbulojnë gjithë territorin e vendit dhe reagojnë kur paraqitet nevoja në terren.  

Preportr gjithashtu ka pyetur edhe Policinë e Kosovës për planin operacional për mbarëvajtjen e zgjedhjeve ndër vite dhe sipas përgjigjeve të tyre mbarëvajtjet e zgjedhjeve kryesisht kanë qenë të suksesshme, me siguri në rend dhe qetësi publike.

Dënimet e lehta pa efekt parandalues

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se dënimet e lehta për veprat penale që lidhen me manipulimet zgjedhore kanë krijuar një problem të vazhdueshëm në sistemin e drejtësisë zgjedhore në Kosovë, kjo për faktin se pjesa dërrmuese e aktgjykimeve përfundojnë me gjoba ose dënime me kusht dhe se kjo e dobëson ndjeshëm efektin parandalues.

Sipas tij, në këtë mënyrë, veprat që në substancë cenojnë integritetin demokratik të procesit trajtohen përmes sanksioneve që nuk pasqyrojnë peshën e tyre reale. 

“Kjo ka kultivuar bindjen se manipulimet zgjedhore shihen si shkelje të menaxhueshme, jo si ndërhyrje serioze në vullnetin politik të qytetarëve. Përderisa trajtimi penal mbetet minimal, është e vështirë të krijohet një kulturë e përgjegjësisë individuale dhe institucionale”, ka thënë Cakolli.

Kjo ka kultivuar bindjen se manipulimet zgjedhore shihen si shkelje të menaxhueshme, jo si ndërhyrje serioze në vullnetin politik të qytetarëve.
— Eugen Cakolli, KDI

Ai ka thënë se nga monitorimet shumëvjeçare të procesit zgjedhor, KDI ka vërejtur disa dukuri që përsëriten dhe paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, si keqpërdorimi i votimit me asistim dhe votimit familjar, që shpesh ndodh përtej qëllimit të tij legjitim dhe përfundon duke cenuar fshehtësinë e votuesit, e sidomos grave.

“Në zona të caktuara, sidomos në komuna me shumicë serbe dhe në mjedise të tjera të pakicave, janë raportuar e regjistruar forma të presionit dhe intimidimit që ndikojnë në orientimin e votës. Kjo mbetet një nga sfidat më të ndjeshme të procesit”, ka thënë ai.

Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili vazhdimisht ka monitoruar punën e gjykatave, thotë se një situatë e tillë e dënimeve me kusht është vërejtur edhe gjatë monitorimeve.

Sipas tij, edhe pse Gjykata Supreme e Kosovës kishte nxjerrë Udhëzimin për matjen e dënimit që përcaktohen mënyrat e llogaritjes së dënimit me vepra penale.

Ai thotë se në këtë udhëzues përcaktohen qartë mënyrat e llogaritjes së dënimit për veprat penale veç e veç, duke tentuar kështu të krijojë një standard unifikues dhe rritje të politikës ndëshkimore për kryesit e veprave penale që në fund të gjykimit shpallen fajtorë. 

“Mirëpo, pavarësisht këtij udhëzuesi, situata me shqiptimin e dënimit për të gjitha veprat penale, përfshirë edhe ato nga kapitulli që mbron të drejtën e votës së lirë, nuk po gjen zbatim”, ka thënë Kabashi.

Sipas tij, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) duhet të bëjë përpjekje për të ndërtuar mekanizma brenda sistemit gjyqësor që monitorojnë zbatimin e udhëzuesve apo planeve strategjike që ai nxjerr. Ai konsideron se kjo do të ndikonte që të kuptohej saktë se sa po gjen zbatim plani strategjik apo në rastin konkret zbatimi i udhëzuesit për matjen e dënimit.
 

Situata me shqiptimin e dënimit për të gjitha veprat penale, përfshirë edhe ato nga kapitulli që mbron të drejtën e votës së lirë, nuk po gjen zbatim.
— Flamur Kabashi, IKD


Kabashi thotë se pas monitorimit në praktikë të çështjes së zbatimit të këtij udhëzuesi, KGjK duhet të hartojë raport të veçantë, i cili më pas të miratohet nga ky institucion, pas diskutimeve paraprake, duke prodhuar rekomandime dhe vendime përkatëse për gjykatat, varësisht nga të dhënat që dalin nga raportimi i monitorimit të zbatimit të udhëzuesit.

“Në këtë formë përcaktohet qartë se cila gjykatë ka dështuar në zbatimin e udhëzuesit dhe caktohen detyrimet konkrete për gjykatat përkatëse në drejtim të ngritjes së politikës ndëshkimore për veprat penale ku konstatohet moszbatim i udhëzuesit”, thotë ai.

Situata aktuale

Viti 2025 ka qenë vit i shumëfishtë zgjedhor. Pas zgjedhjeve të nëntë shkurtit, në vjeshtë u mbajtën zgjedhjet lokale në dy raunde dhe më 28 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Në zgjedhjet lokale dyshimi dhe diskutimi më i madh u bë për fletëvotime që kishin mospërputhje të numrave me vendvotimet. Kompania prodhuese nga Sllovenia tha qe ishte gabim teknik, ndërkaq Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa hodhi poshtë ankesat se pati manipulime të votave përmes atyre fletëvotimeve. Vendim të njëjtë mori edhe Gjykata Supreme.

Ndërkaq, në zgjedhjet e nëntë shkurtit janë evidentuar disa shkelje e parregullsi. 
Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit u zhvilluan në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të drejta. Administrimi i operacioneve zgjedhore ishte përgjithësisht i rregullt, përjashtuar procesin e publikimit të rezultateve dhe numërimit të votave për kandidatët.

Votimi jashtë vendit ishte procesi më i prekur nga ndryshimet e fundit ligjore, duke i zgjeruar mundësitë e votimit për qytetarët në diasporë edhe fizikisht në konsullata, por edhe me postë.

“Votimi jashtë vendit u karakterizua me ndërhyrje politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në pothuajse të gjitha fazat e tij. Dështimet dhe problemet me transportimin e votave, kanë ngritur dyshime lidhur me sigurinë dhe integritetin e këtij procesi”, thuhej në reagimin e DnV-së.
Dyshime për manipulim të votave me postë u ngritën edhe nga disa deputetë të LDK-së, por deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare nëse ky rast po hetohet nga prokuroria.
Derisa policia dhe prokuroria po thonë se po e kryejnë punën e tyre duke ndërhyrë në rastet e cenimit të procesit të votimit, përkatësisht duke ngritur aktakuza, siç duket “fyti i ngushtë”, ndodhet në gjykata, të cilat në shumicën e rasteve po marrin dënime me kusht dhe me gjoba për manipuluesit e zgjedhjeve.