Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion të gjerë që ka përfshirë disa komuna.
Burime të Preportr brenda policisë së Kosovës kanë konfirmuar se arrestimet kanë të bëjnë me aferën një milionëshe, e për të cilën ka raportuar Preportr më 2 prill të vitit 2025.
“Në këtë aksion janë arrestuar Sami Mazreku dhe Valon Berisha. Gjithashtu janë arrestuar edhe disa persona tjerë të dyshuar si përfitues”, ka thënë ky burim.
Sami Mazreku ka qenë drejtor ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ndërkaq Valon Berisha drejtor i financave në BSK. Ata dyshohen për keqpërdorime financiare sa kanë qenë duke udhëhequr me byronë.
Artikuj të ngjashëm
Preportr në hulumtimin paraprak ka raportuar se mbi 1 milionë e 43 mijë euro që janë paguar nga Byroja Kosovare e Sigurimit, nuk po mund të evidentoheshin brenda këtij institucioni. Më thjesht, nuk po dihet se në xhepat e kujt kanë përfunduar këto para. Pagesat në fjalë ishin realizuar në vitin 2022 (59) dhe 2023 (107) si pagesa të dëmeve nga sigurimet kufitare dhe Memorandumet e Bashkëpunimit. Në Byro nuk ka të dhëna për dëmet përkatëse që justifikojnë këto pagesa, si numri i lëndës së dëmit, raporti policor i aksidentit, vendimi i komisionit të vlerësimit të dëmeve, raportet e ekspertizës apo dokumentet e tjera mbështetëse.
Lidhur me dyshimet për keqpërdorime të ngritura edhe nga gjetjet e auditimit të brendshëm, ishte “vet-lajmëruar” ish-drejtori i financave dhe kontabilitetit në Byro, Valon Berisha.
Ai ka thënë se në funksionin e drejtorit të financave dhe kontabilitetit, ka qenë i vetmi përgjegjës për organizimin, kontrollin dhe ekzekutimin e operacioneve financiare, përfshirë vendimmarrjen mbi transaksionet, pagesat, raportimet financiare dhe çdo proces tjetër që lidhet me administrimin e fondeve dhe burimeve financiare të Byrosë.
Preportr ka kontaktuar me avokatin Fanol Krasniqi, për të marrë informacione tjera lidhur me arrestimin e Berishës, por ai tha se nuk është më avokat i Berishës dhe se ka qenë vetëm në fazën fillestare ku Berisha ka shprehur vullnetin ta pranojnë përgjegjësinë për këtë rast dhe është zotuar për kthimin e mjeteve në BKS.
Ndërsa avokati Arianit Koci që e ka deponuar kallëzimin penal në prokurori lidhur me këtë rast tha se nuk mund të ofrojë detaje të tjer.
Preportr pati realizuar edhe një hulumtim tjetër lidhur me keqmenaxhimin e BKS-së dhe dyshimet për keqpërdorim të buxhetit nga drejtuesit e BKS-së. Lidhur me këtë rast në korrik të vitit 2025 ka marrë një konfirmim nga Prokuroria Themelore e Prizrenit se po zhvillohen hetime.
Artikuj të ngjashëm
“Referuar kërkesës tuaj, konfirmojmë që Prokuroria Themelore në Prizren e ka pranuar rastin, dhe se jemi në fazën e grumbullimit të provave dhe informacioneve të nevojshme. Në këtë fazë është ende heret të ndajmë informacione me ju dhe me publikun, për shkak të cenimit të mundshëm të integritetit të hetimit”, thuhej në përgjigjen e prokurorisë.