Injorimi i pafund i fakteve të shkeljeve dhe të korrupsionit nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit ka krijuar një përshtypje dhe ambient që në Kosovë është e pamundur të ndërmarrësh masa kundër shkelësve. Të thuash se nuk ka fakte për të ndërmarrë masa kur auditimet në vazhdimësi kanë nxjerrur raste të shkeljes së ligjeve dhe procedurave është njësoj sikur të japësh përkrahje për shkeljet. Suspendimet e fundit të ndodhura në PTK për shkak të shkeljeve të procedurave të prokurimit dhe keqpërdorimeve tjera japin një shpresë se edhe në Kosovë herdo kurdo do të kërkohet llogari.
Bordi i drejtorëve të PTK-së ka marrë vendimin për suspendimin e Fatmir Rushitit, shef i zyrës për prokurim, nën dyshimin se ka bërë shkelje të procedurave të prokurimit gjë që zgjon dyshime të bazuara për korrupsion. Ky rast mund të shërbejë si shembull edhe për institucionet se shkarkimi për shkelje të procedurave nuk do të thotë paragjykim për ndonjë vepër penale, por është masë administrative e domosdoshme për funksionimin normal të një institucioni a kompanie.
Megjithatë, dyshime të shumta për shkelje të vazhdueshme në të gjithë sektorët e PTK-së janë botuar shpesh nga auditorët e pavarur dhe nga media. Suspendimi i shefit të prokurimit, sado që një hap inkurajues, duke pasur para syshë shkeljet e raportuara në vazhdimësi pas krijimit të PTK-së, do duhej të shërbente vetëm si fillim por jo edhe mbarim i masave kundër korrupsionit në këtë kompani publike multimilionëshe. Pjesë të menaxhmentit të PTK-së simbas auditimeve të mëhershme janë përfshier në shkelje të ligjit dhe kjo nuk do duhej heshtur nga menaxhmenti aktual I PTK-së.
Në shumë raste menaxherët kosovarë kanë qenë të mbështetur nga zyrtarë ndërkombëtarë nga AKM-ja për shkelje dhe korrupsion sidomos në kompanitë publike kosovare të shndërruara së voni në shoqëri aksionare. Ish-drejtori i PTK-së Gavin Jeffry aktualisht gjendet nën hetime në lidhje me këto dyshime. Ndërprerja e kontratës është vetëm një hap logjik që do duhej pasuar pasi që ai gjendet nën hetime. Ndërmarrja e hapave në këtë rast dhe në rastin e zyrtarës tjetër të suspenduar para një jave, zonjës Eva Andreë, jep shpresa se inferioriteti ndaj të huajve të përfshier në shkelje mund të luftohet nga vendorët.
Në fund, mbetet të shihet nëse masat për ndëshkimin e shkelësve të ligjit do të vazhdojnë në PTK ose do të mbesin vetëm parciale.