Dy gazetarët e Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese Visar Duruqi dhe Qëndrim Bunjaku janë kërcënuar nga biznesmeni Ragip Mustafa, pronar i kompanisë “Beni Dona”.Fillimisht një zyrtar i kompanisë “Beni Dona”, Arben Nitaj ka kërkuar që të takohet me gazetarët për t’i bërë disa sqarime rreth hulumtimit të fundit të Organizatës Çohu! dhe Preportr, mbi menaxhimin e Komunës së Prishtinës. Zyrtari në fjalë ka ardhur në zyret e organizatës dhe ka biseduar me gazetarët rreth kontestimeve në hulumtim, edhe ka paralajmëruar se do të bëjë një padi për shpifje.
Pas rreth dy orësh pronari i kompanisë “Beni Dona”, përmes zyrtarëve të tij ka kërkuar një takim në zyrën e tij për t'u sqaruar rreth hulumtimit të Preportr, në të cilin thuhet se Ragip Mustafa ka ndërtuar objekt kolektiv pa leje.
Pasi që gazetarët Duriqi dhe Bunjaku kanë shkuar për t'ia sqaruar këtë çështje biznesmenit Mustafa, ky i fundit i ka kërcënuar dhe së bashku me stafin e tij nuk i kanë lënë që të dalin nga zyra deri sa është lajmëruar policia.
Fillmisht zoti Mustafa ka filluar me fyerje të llojit: “po m’dhimneni se jeni t’ri e Kosova osht tu bo burgje t’reje”, “a je budall ti, “a je normal ti”, “ ti kokshe laper”, dhe pas këtyre ofendimeve gazetarët kanë kërkuar nga zoti Mustafa që të ndalojë me ofendimet e tij dhe ai është përgjigjur me një ton të lartë duke thënë se “ ta dhezi shuplak që syt jasht ti qes”
Pas kësaj gazetarët kanë tentuar të largohen nga takimi por zoti Mustafa dhe dy persona tjerë që kanë hyrë brenda pas tentimit që të largohen gazetarët kanë kërcënuar fizikisht dy gazetarët, dhe ju kanë thënë që “ju dilni jashtë kur na ju thojna”.
Më pas gazetarët kanë telefonuar policinë, dhe pas thirrjes së policisë nga gazetarët, të njëjtë gjë e ka bërë edhe zoti Mustafa, duke kërkuar nga zyrtarët e tij që të thirret policia.
Edhe pas insistimit të gazetarëve që te lejohen të dalin jashtë, zoti Mustafa me stafin e tij e kanë pamundësuar këtë deri në ardhjen e policisë, duke i detyruar gazetarët të qëndrojnë në zyrën e tij pa dëshirën e tyre.
Organizata Çohu! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese është e shqetësuar për kërcënimet e gazetarëve të saj dhe kërkon nga organet kompetente që të merren masat e nevojshme për dënimin e atyre që kanë kërcënuar.