Opinioni është njoftuar ditëve të fundit në lidhje me rastin e dyshimeve për korrupsion që janë ngritur nga stafi i Qendrës për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve Fjala është për dyshimin mbi keqpërdorimin e donacioneve të dhëna në emër të trajtimit të viktimave të trafikimit njerëzor.

Organizata për Demokraci Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu” i është përgjigjur kërkesës së stafit për kontakte të vazhdueshme në mënyrë që të monitorohen zhvillimet në lidhje me këtë rast. “Çohu” ka parë shumicën e dokumentave mbi transaksionet e dyshimta dhe në një masë të konsiderueshme jemi bindur se rasti meriton një trajtim serioz nga policia dhe prokuroria.

Megjithatë, ne kemi frikën se zhvillimet e fundit politike mund ta lënë nën hije këtë rast, prandaj dëshirojmë të kontribuojmë në favorizimin e ndjekjes së procedurave me kohë dhe në mënyrë të përpikët.

“Çohu” do ta monitorojë rastin në organet e ruajtjes së ligjit (polici e gjyqësi), por mendojmë që për këtë moment është shumë e rëndësishme që këto organe të kryejnë punën e vetë pavarësisht nga ndikimet e jashtme në mënyrë që të gjindet e vërteta në lidhje me donacionet e dhëna me vite të tëra në emër të viktimave të trafikimit.

Ne iu ofrojmë bashkëpunim direkt organeve të gjyqësisë, por edhe do të qëndrojmë në kontakt të vazhdueshëm me stafin e QMGF-së gjer në fund të grevës së urisë në të cilën janë futur pesë punëtore të qendrës.

“Çohu” fton për bashkëpunim të gjithë ata që kanë informacione në lidhje me këtë rast dhe raste tjera të korrupsionit.