Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu!, të enjten më 8 shkurt 2018 ka organizuar dhe ka zhvilluar diskutimin lidhur me konfliktin e interesit. 

Në fokus të diskutimit ka qenë Projektligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik si dhe praktikat e vendeve të ndryshme lidhur me konfliktin e interesit. 

Në diskutimin e fokus-grupit janë prezantuar si dhe janë diskutuar gjetjet e Organizatës Çohu! dhe çështjet e tjera ndër të cilat veçohen: 

- Dështimi i miratimit të këtij Projektligji në faza të ndryshme; 

- Përkufizimet e legjislacionit ekzistues dhe nevoja për harmonizim në fushën e konfliktit të interesit; 

- Mungesa e kategorizimit të niveleve/pozitave të ndryshme të zyrtarëve publikë; 

- Çështja e angazhimit të zyrtarëve publikë në disa funksione publike dhe ndalimi i pagesave; 

- Mbrojtja e zyrtarëve që ofrojnë informatat e bazuara për konflikt të interesit; 

- Nevoja e definimit të konfliktit të interesit si kundërvajtje apo vepër penale; 

- Çështja e afatit të parashkrimit si dhe afatet e tjera kohore të cilat kanë të bëjnë me deklarimin dhe shmangien e konfliktit të interesit.

Të pranishëm në diskutim kanë qenë përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës - Komisioni për Legjislacion, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kundër Korrupsion, Prokuroria e Shtetit, përfaqësues të Zyrës së Avokatit të Popullit si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera përkatëse.

Në fund, tryeza u përmbyll me përfundimet në vazhdim:

- Të krijohet një grup punues nga Komisioni për Legjislacion për Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik lidhur për adresimin e çështjeve kryesore të kësaj fushe;

- Të kategorizohen nivelet e zyrtarëve publikë të cilët ushtrojnë funksione publike;

- Të ndalohet ushtrimi i më shumë se një funksioni publik nga zyrtarët publikë dhe të ndalohen pagesat për angazhimet e veçanta nga pozita e njëjtë;

- Të standardizohen vendimet e institucioneve relevante për rastet e konfliktit të interesit;

- Të zhvillohet edukimi i zyrtarëve publikë lidhur me konfliktin e interesit dhe ofrimi i mendimeve/sqarimeve të vazhdueshme nga AKK/ja.

Tryeza është mbështetur nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicrane për Bashkëpunim (SCO) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA), i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).