Të martën, për të dytën herë, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit ka shpërblyer përfaqësuesin e njëjtë me licencën për operatorin e dytë të telefonisë mobile.  ART, e udhëhequr nga Anton Berisha, i njëjti person që njëherë e dështoi tenderin për shkak të shkeljeve e korrupsionit, e ka shpërblyer edhe njëherë biznesmenin pejan Ekrem Lluka me licencën e dytë të telefonisë mobile edhe përkundër faktit se ka qenë vetë UNMIK-u, Qeveria e Kosovës dhe ekipe ndërkombëtare të ekspertëve që i konstatuan shkeljet në tenderin e kaluar.

Një tjetër indikator që nxjerrë dyshime të pakapërcyshme në lidhje me ligjshmërinë e këtij tenderi është fakti se operatorë me përmasa globale janë larguar nga ky tender për shkak të shkeljeve që ART i ka bërë gjatë gjithë procesit. Organizata ÇOHU! posedon dokumenta që vërtetojnë se firma globale e telefonisë mobile Vodaphone ka hetuar parregullsi në mënyrën e bërjes së tenderit dhe për këto ia ka tërhequr vërejtjen Komisionit special mbikëqyrës të ART-së gjegjësisht zotit Agim Kukaj.

Në këtë dokument përfaqësuesi i Vodaphone tërheq vëmendjen se tenderuesit më seriozë kanë vërejtje serioze mbi integritetin dhe transparencën  e procesit tenderues. Madje kjo kompani në këto vërejtje ka bërë edhe krahasimin me proceset tjera të tenderimit për telefoni mobile duke përmendur posaçërisht Maqedoninë ku ka ekzistuar një transparencë e plotë në lidhje me kriteret dhe vlerësimin e pikëve. ART ka bërë të kundërtën e kërkesave të kompanive më të mëdha. Ajo i ka mbajtur të paqarta nënkriteret e tenderit, nuk ka pasur transparencë sidomos në lidhje me pagesën e tarifës për licencë dhe nuk kanë ofruar detaje për tenderuesit në lidhje me alokimin e pikëve. Kjo ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme të manipulimit nga ana e Komisionit dhe ART-së duke qenë se informacionet potencialisht kanë mundur t’i kenë tenderuesit e afërt me ART-në.

 

Problemi që rëndon akoma më shumë rrethanat në atë që ndodhi të martën në lidhje me tenderin e telefonisë mobile është fakti se “komisioni i ekspertëve” ka qenë i dominuar nga njerëz politik që vijnë nga AAK, me të cilën parti, siç dihet, është i afërt zoti Lluka. Shumë dyshime qenë ngritur nga shtypi kosovar se Lluka kishte korruptuar shefin e ART-së, zotin Anton Berisha dhe duke marrë parasysh shkeljet që u konstatuan në tenderimin e parë si dhe faktin se Komisioni kësaj radhe ka qenë i përbërë me njerëz nga partia me të cilën është i afërt zoti Lluka, është krejtësisht e logjikshme të shtrohet sërish pyetja nëse zoti Berisha ka një marrëdhënie të veçant korruptive me zotin Lluka. Pra, a janë të gjitha këto vetëm koincidencë apo janë indikatorë të sigurt për korrupsion? Natyrisht nuk është shumë e vështirë të arrihet në këtë dyshim duke qenë se ishte po kjo ART që njëherë e dështoi tenderin për shkak të korrupsionit.

Poashtu, shpallja e fituesit të telefonisë mobile dhe caktimi i tenderit u bë në rrethana dhe kohë plotësisht të pavolitshme për Kosovën pasi vëmendja e opinionit publik është e kthyer nga statusi i Kosovës dhe me ankth po pritet shpallja e vendimit definitiv në OKB. 

Për pasojë, fituesit e licencës së dytë të telefonisë mobile janë krejtësisht anonim në fushën e telefonisë mobile. Kompanitë më serioze në telefoninë mobile, të cilat janë futur nëpër shumicën e vendeve të rajonit, siç është për shembull Vodaphone, janë larguar nga aplikimi për shkak të parregullsive, ndërsa kanë fituar kompania Dukagjini, Kujtesa dhe Eutelia nga Italia, të cilat nuk kanë pasur ndonjëherë lidhje me telefoninë mobile.

Të gjitha këto nxjerrin dyshime serioze në lidhje me rregullsinë e këtij tenderi. UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës do duhej t’a pezullonin këtë tender dhe të krijonin një lloj komisioni hetues për të sqaruar të gjitha rrethanat në lidhje me këtë tender. Në fund të fundit nami që ART-ja ka lënë për shkeljet në tenderin e kaluar do duhej të ishte një arsye për imponimin e një transparence të plotë kësaj radhe. Kjo nuk ka ndodhur. UNMIK-u dhe Qeveria si dhe organet e gjyqësisë nuk guxojnë të injorojnë përsëritjen e dyshimeve për shkeljet e sërishme në procedimin e tenderit për licencën e dytë për telefoninë mobile. Në të kundërtën në Kosovë do të fitojë mungesa totale e ligjshmërisë.