Statusi është bërë strehë për hajnat dhe se përvoja edhe nga sistemet e kaluara na mëson se “ceshtjet e madhore” janë përdorur gjithmonë si prioritet i imponuar 

Instalimi i mafias në institucione rrezikon të na kthehet boomerang pas statusit 

Korrupsioni dhe institucionet demokratike e përjashtojnë njëra tjetrën absolutisht. 

Gazetari duhet të jetë shembull në shoqëri nëse kërkon të arrijë besushmëri: duhet t’i iket gazetarisë së telefonave dhe e-maileve.

Gazetarët nuk kanë përkrahje institucionale gjatë raportimit të korrupsionit dhe për më tepër shumë pak kanë përkrahje nga shoqëria kosovare në përgjithësi. Shumë shpesh gazetarët i nënshtrohen presioneve dhe kërcënimeve dhe për këtë nuk kanë ndonjë mbrojtje. Megjithatë, qoftë gjatë insistimit për të nxjerrë më shumë informacion nga zyrtarët, qoftë në situatat kur kanë nevojë për mbrojtje, gazetarët shpesh edhe nuk i shfrytëzojnë mundësitë institucionale dhe ligjore, meqë, sic thonë edhe vetë, nuk kanë kohë që të përcjellin procedurat e stërzgjatura gjyqësore.  Problem tjetër në raportimin e korrupsionit është edhe fshehja e liderëve prapa parullës së pavarësisë së Kosovës. Këto kanë qenë disa nga konstatimet në debatin e mbajtur nga Organizata për Demokraci Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu’ në temën “Raportimi i korupsionit në mediat kosovare”.

Në fillim të këtij debati, redaktori nga gazeta “Lajm”, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se Statusi është bërë strehë për hajnat dhe se përvoja edhe nga sistemet e kaluara na mëson se “çeshtjet e madhore” janë përdorur gjithmonë si prioritet i imponuar.

Ai ka konkluduar se pa ndërrimin e sistemit zgjedhor në lista të hapura nuk mund të ndërrohet kjo strukturë e korruptuar. Rexhepi ka përmendur raste të veçanta të korrupsionit në të cilat nuk ka transparencë dhe prandaj ka dyshime për korrupsion. Ndër të tjera ai ka përmendur rastin e bllokadës për gati një muaj e gjysmë të magjistrales Prishtinë-Shkup. “Mungesa e transparencës nxjerrë dyshime për korrupsion dhe kjo do të thotë se dikush duhet të japë përgjigje”, ka thënë Rexhepi.

Më tutje zoti Rexhepi ka thënë se indiferenca ndaj korrupsionit është duke krijuar kushtet për instalimin e një mafia në institucione, të cilën më vonë, sidomos pas përfundimit të statusit, do jetë shumë vështirë për ta lufuar.

Në vazhdim Avni Zogiani nga Organizata “Çohu”, ka folur për diskrepancën e raportimit të korrupsionit në gazeta dhe TV. Në këtë pikë televizionet janë kritikuar se nuk bëjnë sa duhet për ta informuar opinionin mbi problemin e korrupsionit në tërësi dhe mbi skandalet e vecanta. Sidomos është kritikuar mungesa e debatit televiziv për korrupsionin.

Fatos Bytyqi kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe redaktor në RTK e ka kundërshtuar këtë, por nuk kanë qenë të një mendimi me të Gazmend Syla dhe Syzana Bytyqi nga Koha Ditore dhe Ibrahim rexhepi nga Lajmi.

Gazmend Syla ka thënë se sikur televizionet të ndiqnin në vazhdimësi raportimet e korrupsionit prej gazetave, sot do të kishim një situatë tjetër.

“Ka korrupsion Brenda në media”, ka thënë Agim Kasapolli ish-redaktor i sportit në RTK. Ai në vazhdim ka potencuar se korrupsion është edhe kur stafi punësohet sipas dëshirës së një njeriu, ose kur vetëm një njeri flet në emër të televizionit, kur ai zgjedh gazetarët sipas kutit të vet dhe poashtu kur ditari i lajmeve së pari kalon nëpër zyrën e drejtorit.

Ilir Hoxha nga ATRC-ja ka pyetur se a do të jetë e vështirë që në të ardhmen të luftohen këta persona. Në këtë pyetje përgjigja e gjithmbarshme ka qenë pozitive.

Gazmend Syla ka shfaqur shqetësimin e tij se me arritjen e statusit struktura udhëheqëse e korruptuar do na kthehen me arsyetimin se ne sollëm pavarësinë dhe kështu do jetë më vështirë për ta luftuar.

Ndërsa Anton Ndreca nga “Çohu”, ka konsideruar se statusi do të shtyhet në vazhdimësi deri në përmbushjen e disa standardeve kryesore e  në veqanti atij të krijimit të institucioneve demokratike. Korrupsioni dhe institucionet demokratike e përjashtojnë njëra tjetrën absolutisht ka thënë ai. Ndreca ka konkluduar se mediat janë duke dështuar që këtë situatë t’ua përcjellin publikut.

Gazetari I Kohës ditore Syla duke folur për mungesën e bashkëpunimit të IPVQ-ve me mediat, ka përmendur mungesën e informacioneve me rastin e sëmundjes së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Ai poashtu ka përmendur edhe mungesën e zëdhënësit të qeverisë që 6 muaj që është rast përjashtues në tërë botën.

Zogiani (Çohu) në vazhdim ka thënë se qeveria krijon ato zyra për të cilat ka nevojë, ndërsa ka shtuar se qeveria e Kosovës nuk e ka një nevojë të tillë sepse, me apo pa zëdhënës, të gjitha lajmet fillojnë dhe mbarojnë me raportimin mbi takimet e qeverisë.

Duke folur për moszbatimin e lgijit anti-korrupsion dhe ligjit për akces në dokumenta zyrtare avokati Tomë Gashi ka shpjeguar se për secilin ligj që nuk zbatohet duhet të bëhet padi në gjykatë.

Gazetarët e kanë kundërshtuar këtë duke thënë se për këtë nevojiten vite dhe se edhe gjykatat janë të korruptuara, ndërsa Avokati Gashi ka insistuar se gjithsesi pozicioni i gazetarëve do të përforcohej me paditjen e parregullsive.

Lorik Pustina nga gazeta Express ka folur për kërcënimet fizikë që u bëhen gazetarëve. Ai ka shturar si dilemë nëse këto kërcënime vijnë si pasojë e joprofesionalizmit gazetaresk apo nga subjekte dhe njerëz të cilëve u trazohet strofulla e veprimit jolegal. Ai poashtu ka kritikuar edhe formën e qërimit të hesapeve me gazetarë që zakonisht është qërim personal hesapesh. Ai ka kërkuar që të krijohet një mekanizëm mbrojtës për gazetarët.

Anton Ndreca këtu ka kritikuar edhe gazetarët të cilët u japin kohë këtyre kërcënimve dhe mundohen që ato t’I zgjidhin përmes kanaleve personale\familjare dhe nuk I denoncojnë këto kërcënime në media dhe në gjyq.

Syzana Bytyqi, duke folur në temën “Mungesa e përkrahjes nga shoqëria për gazetarët që raportojnë korrupsionin”, ka thirrur për një vetëkritikë nga gazetarët dhe mediat të cilët shpeshëherë botojnë shkrime të bazuara në spekulime dhe vazhdimisht nën burime anonime. Ajo ka thënë se kjo shklakton mosbesim në publik.

I të njejtit mendim ka qenë edhe Ibrahim rexhepi, i cili ka arsyetuar mosleximin e kënaqshëm të gazetave mu për shkak të krijimit të një mosbesimi. Ai poashtu ka folur në kundërshtim të gazetarisë përmes telefonave dhe emailave.

S.Bytyqi poashtu ka potencuar se në shoqëritë tranzitore raportimi i korrupsionit përveç interesit të biznesit medial, ka edhe një interes të madh të përshpejtimit të proceseve demokratike. Mungesa e zëdhënësve në qeveri nuk duhet të jetë pengesë aq e madhe në raportimin e korrupsionit sepse asnjë aferë e madhe botërore, asnjëherë nuk është zbuluar përmes zëdhënësve por përmes kanaleve tjera alternative, që e bëjnë gazetarinë hulumtuese, ka thënë ajo.

Fatos Bytyqi nga AGPK ka thënë se një problem I madh gjatë raportimit të korrupsionit është mungesa e përkrahjes së gazetarëve nga ana e vetë medias ku ata punojnë. Bytyqi ka thënë se në vazhdimësi ka përpjekje për ndikime nga jasht në redaksitë e mediave kosovare. Ai poashtu ka thënë se Qeveria mundohet të kontrollojë mediat duke përdorur dërgimin e reklamave të institucioneve tek mediat e preferuara dhe madje duke iu bërë presion edhe bisneseve që të mos reklamojnë në një media e cila është pak më agresive ndaj qeverisë. 

Ndreca nga Organizata “Çohu” në fund ka thënë se fakti që gazetarët nuk ndërmarrin ndonjë veprim për të mos u dorëzuar ndaj ndikimeve apo imponimeve nga redaktorët dhe udhëheqësit tjerë nuk arsyeton. “Nëse nuk pajtohesh me një media është më mirë ta braktisësh atë sesa të ngelesh bashkëpjesmarrës në një cenzurë faktike”, ka thënë Ndreca por është kundërshtuar nga gazetarët me arsyetimin se gazetari nuk ki shumë alternativa në Kosovë. 

Ky debat, i organizuar në bashkëpunim mes “Çohu” e  AGPK-së është pjesë e programit të Organizatës “Çohu”, “Partneriteti Anti-Korrupsion”, I cili përkrahet nga USAID, FDI dhe IREX.