Shqipëria sot është me një këmbë në Evropë falë luftës së pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbizotërimi i ligjit dhe dhënia e llogarisë është pikënisja e një demokracie të qëndrueshme dhe një zhvillimi ekonomik të një vendi. Kjo do duhej të vlente edhe për Kosovën.
Mirëpo, ajo që po ndodhë sot në Kosovë ëshë një indiferencë totale ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Edhe në komunën e Prishtinës auditimi ka vërtetuar shkelje të ligjit, keqpërdorim fondesh dhe mospërgjegjësi në menaxhim të parave publike ashtu sikundër edhe në shumë komuna tjera, por edhe në nivelin qendror qeverisës.
Ardhja juaj në Kosovë do duhej të kuptohej si një nxitje të një lufte anti-korrupsion tek pushtetarët aktualë. Mirëpo, mënyra si janë sjellur pushtetarët kosovarë deri tashti nuk jep shumë shpresa se një gjë e tillë do të ndodhë. Zyrtarët e lartë kosovarë kanë hedhur poshtë konstatimet e auditimeve të pavarura të cilat kanë gjetur shkelje flagrante dhe i kanë quajtur ato të pambështetura. Ata kanë krijuar një indiferencë ndaj korrupsionit. Sot në Kosovë Ligji anti-korrupsion është praktikisht i pa aplikueshëm duke qenë se pushtetarët pengojnë krijimin e Agjensionit Anti-korrupsion.
Niveli i korrupsionit dhe krimit të organizuar është duke e ngulfatur jetën në Kosovë. Prandaj zoti Berisha, mos lejoni që vizita juaj të shitet si përkrahje ndaj kësaj qeverisje të korruptuar. Ju në të vërtetë do të pranoheshit si qytetar nderi i Prishtinës nëse do refuzonit që ky status të ju vie nga kryetari i komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri, i cili ka një përgjegjësi për lejimin e keqpërdorimeve në këtë Komunë. Refuzimi që do t’i bënit këtij epiteti me kërkesën për ta luftuar korrupsionin do të ishte një nder i madh nga ana e juaj për Kosovën dhe për qytetarin e saj, i cili vazhdon të përballohet me rrugë të shkatërruara, me mungesë furnizimi me ujë dhe drita, me shërbime të dobëta komunale.