Ndërtimi i hidrocentraleve në Kosovë është karakterizuar më shumë debate e reagime lidhur me dëmet mjedisore që kanë shkaktuar dhe po shkaktojnë. Ndërkohë, janë realizuar shumë hulumtime, raporte dhe studime të cilat kanë faktuar dëme shumëdimensionale mjedisore që janë shkaktuar gjatë ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve.
Dëme të ndryshme u janë shkaktuar edhe banorëve të fshatrave ku janë ndërtuar hidrocentralet.
Për shkak të dëmeve të shumta, tema e largimit të hidrocentraleve është përmendur nga banorët e prekur, por edhe nga aktivistë të shoqërisë civile që merren me çështjen e mjedisit.
Por, siç duket, shumë më e lehtë ka qenë dhënia e lejeve dhe licencave për këto hidrocentrale, sesa mbyllja e tyre. Në këtë aspekt largimi eventual, përkatësisht mënyra e largimit të hidrocentraleve, mund të paraqesë sfida ligjore dhe financiare për shtetin e Kosovës.
Rinon Arifi, jurist dhe ekspert i fushës thotë se procesi ligjor për pezullimin apo mbylljen e një hidrocentrali duhet të udhëhiqet nga institucionet përgjegjëse, përkatësisht inspektoratet kompetente në fushën e menaxhimit të ujërave dhe të mbrojtjes së mjedisit. Sipas tij, mbikëqyrja dhe monitorimi i vazhdueshëm i aktiviteteve të operatorëve, i shoqëruar me dokumentimin e shkeljeve ligjore apo mjedisore, krijon bazën për marrjen e masave administrative.
Arifi thotë se këto masa mund të përfshijnë gjoba, pezullim të përkohshëm të lejeve dhe licencave deri në evitimin e shkeljeve ligjore të gjetura, si dhe, në rast të shkeljeve të vazhdueshme apo të rënda, shfuqizimin ose anulimin e tyre të përhershëm.
Sipas tij, legjislacioni në fuqi parasheh mundësinë e rivlerësimit periodik të lejeve mjedisore dhe ujore. Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit parasheh rimarrjen apo rivlerësimin e lejeve mjedisore çdo pesë vite, ndërsa Ligji për Ujërat kërkon që lejet ujore të rishqyrtohen së paku çdo pesë vite, edhe kur ato janë lëshuar për periudha më të gjata.
“Këta mekanizma synojnë të sigurojnë kontroll të vazhdueshëm institucional mbi përmbushjen e standardeve mjedisore dhe të kushteve ligjore, megjithëse në praktikë ky mekanizëm shpesh nuk është zbatuar në mënyrë efektive”, thotë Arifi.
Ai konsideron se gjykatat në Kosovë kanë rol të rëndësishëm në rivlerësimin e akteve administrative, përfshirë lejet ujore dhe mjedisore. Arifi thekson se aktualisht në Gjykatën Kushtetuese ndodhet një rast aktiv që nga fundi i vitit 2024, i cili konsiderohet një rast precedent në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe lidhet drejtpërdrejt me çështjen e hidrocentraleve.
Sipas tij, vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në vendosjen e standardeve të mbrojtjes së mjedisit dhe në orientimin e gjykatave të rregullta dhe organeve administrative për të vlerësuar me kujdes aspektin mjedisor gjatë lejimit dhe shqyrtimit të projekteve të tilla.
Por, ai thekson se vendimet dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse duhet të jenë profesionale dhe të bazuara në fakte, në të kundërtën operatorët mund të iniciojnë procedura gjyqësore, përfshirë edhe arbitrazhin.
“Nëse institucionet ndërmarrin masa të bazuara në dokumentim të qartë të shkeljeve dhe ndjekin procedura të rregullta administrative, pozita juridike e shtetit forcohet ndjeshëm dhe zvogëlohen gjasat për pasoja financiare nga kompensimi i dëmit”, thotë Arifi.
Egzona Shala-Kadiu drejtoreshë e organizatës mjedisore EcoZ thotë mbyllja e hidrocentraleve nuk mund të bëhet vetëm me vendime politike, por paraprakisht duhet të evidentohen shkeljet që janë bërë gjatë ndërtimi dhe operimit të hidrocentraleve.
Megjithatë, ajo konsideron se ligjet ekzistuese u japin institucioneve kompetente hapësirë të mjaftueshme për të monitoruar dhe mbikëqyrur respektimin e standardeve mjedisore dhe kushteve të përcaktuara përmes lejeve. Për këtë arsye, sipas saj, ndryshimet ligjore nuk janë domosdoshmërisht parakusht për një qasje më rigoroze ndaj hidrocentraleve.
Shala-Kadiu thotë se edhe koncepti i interesit publik mund të përdoret si bazë për ndërhyrje ndaj aktiviteteve të hidrocentraleve, sidomos kur synohet mbrojtja e mjedisit dhe resurseve natyrore.
“Duke qenë se lejet dhe licencat mund të trajtohen si të drejta pronësore, shfuqizimi apo anulimi i tyre duhet të mbështetet në dokumentimin e shkeljeve dhe në ndjekjen graduale të masave administrative, si gjobat, urdhrat për përmirësim apo pezullimet e përkohshme”, theksoi ajo.
A mund të largohen hidrocentralet nga zonat e mbrojtura?
Një nga çështjet e ngritura nga aktivistët mjedisorë ka qenë fakti se disa nga hidrocentralet janë ndërtuar në zona të mbrojtura. Gjithashtu, janë realizuar edhe hulumtime dhe studime të cilat kanë dokumentuar sa ndërtimi dhe operimi i hidrocentraleve në këto zona ka shkaktuar dëme shumëdimensionale.
Egzona Shala-Kadiu thotë se zonat e mbrojtura mjedisore gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore dhe, në parim, aktivitetet që mund të cenojnë ekosistemin, përfshirë hidrocentralet, duhet të ndalohen në këto zona.
Ajo theksoi ka pasur raste kur projekte hidroenergjetike janë zhvilluar edhe në zona të mbrojtura, madje me leje dhe licenca të lëshuara nga vetë organet kompetente shtetërore, çka ka krijuar kontestime të shumta juridike dhe mjedisore.
Lidhur me këtë çështje kemi pyetur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) se a është shqyrtuar ndonjëherë mundësia e mbylljes së hidrocentraleve që operojnë në zona të ndjeshme mjedisore, por nga kjo ministri nuk kanë dhënë një përgjigje të detajuar, por thonë se Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore (ARPL), në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 03/2018, neni 30, jep mendim profesional për aktivitetet që zhvillohen në zona të ndjeshme mjedisore, përfshirë edhe zonat e mbrojtura sanitare të burimeve ujore.
“Në këtë kuadër është shqyrtuar edhe mundësia e kufizimit apo ndërprerjes së aktiviteteve që mund të cenojnë këto zona”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Maqedonia e Veriut largoi hidrocentralet nga zonat e mbrojtura
Me shpalljen e Malit Sharr si park kombëtar në vitin 2021 është ndërprerë realizimi i projekteve të hidrocentraleve në atë zonë.
Sipas një përgjigjeje nga Ministria e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut, është ndërprerë puna e tetë hidrocentraleve të vogla që po ndërtoheshin në këtë zonë, si MHE Leshoçka 100; MHE Leshoçka 101; MHE Belovishka 107; MHE Vratniçka 66; MHE Ljubotenska 67; MHE Pena 82, MHE Mazdraça dhe MHEC Sheliçe 9.
Shteti i Maqedonisë së Veriut ka dëmshpërblyer kompanitë që kishin në pronësi hidrocentralet.
Sipas përgjigjeve të Ministrisë së Mjedisit të këtij vendi fqinjë, dëmshpërblimet kanë variuar nga 64 mijë euro më së paku deri te 597 mijë euro më së shumti. 
MMPH mund të iniciojë procedurat për ndërprerjen e lejes ujore
Nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) nuk kanë dhënë një qëndrim të qartë sa i përket temës së mbylljes eventuale të hidrocentraleve. Por kanë thënë se mbajnë një qëndrim mbikëqyrës dhe kërkojnë zbatim të plotë të legjislacionit në fuqi lidhur me operimin e hidrocentraleve ekzistuese në Kosovë.
“Fokusi kryesor i Ministrisë është mbrojtja e burimeve ujore, parandalimi i keqpërdorimeve dhe garantimi që operatorët të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me kushtet e lejeve ujore dhe standardet mjedisore”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.
Sa i përket procedurave për ndërprerjen e punës së hidrocentraleve, nga MMPH sqarojnë se Inspektorati i Ujërave monitoron zbatimin e kushteve të lejes, verifikon shkeljet dhe inicion procedurat për ndërprerjen e lejes ujore. Pas konstatimit të shkeljeve, Ministria njoftohet dhe mund të lëshojë Urdhëresë Ujore për ndalim të menjëhershëm të aktivitetit në rast se ekziston rrezik për mjedisin ose burimet ujore.
“Ministria gjithashtu mund t’i japë operatorit afat prej 30 ditësh për eliminimin e shkeljeve. Nëse operatori nuk vepron brenda afatit të përcaktuar, Ministria merr vendim për ndërprerjen e lejes ujore”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Ndërkaq, lidhur me mundësinë ligjore për ndërprerjen e punës së hidrocentraleve, MMPH thekson se baza ligjore për ndërprerjen e punës së hidrocentraleve ekzistuese është e përcaktuar qartë në legjislacionin në fuqi, përkatësisht në Ligjin për Ujërat, neni 76, që përcakton rastet e ndërprerjes së lejes ujore, si dhe në nenin 77 dhe Udhëzimin Administrativ nr. 03/2018, neni 18, i cili rregullon procedurat për ndërprerjen e lejes.
Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 03/2018, neni 18, leja ujore mund të ndërpritet në rastet kur: Uji shfrytëzohet në kundërshtim me kushtet e lejes, mungon koncesioni apo ekzistojnë shkelje procedurale, bartësi i lejes nuk paguan kompensimin për shfrytëzimin e ujit, gjykata ndalon ushtrimin e veprimtarisë së operatorit dhe shkaktohet dëm i konsiderueshëm në ekosistem dhe mjedis.
Ndërkaq, sa i përket rrezikut të arbitrazhit apo pasojave të tjera ligjore në rast të largimit të hidrocentraleve, MMPH thotë se ekziston mundësia që operatorët të iniciojnë procedura gjyqësore apo arbitrazhi ndaj shtetit. Megjithatë, sipas tyre, Ligji për Ujërat dhe Udhëzimi Administrativ nr. 03/2018, neni 18, parashohin mundësinë e ndërprerjes së lejes ujore pa kompensim në rastet kur operatori ka vepruar në kundërshtim me kushtet e lejes ose me dispozitat ligjore në fuqi. Në këto raste, shteti ka bazë të qëndrueshme ligjore për mbrojtjen e interesit publik.
Ndalja e punës së hidrocentraleve do të ishte ideale
Organizata “Gjethi” ndër vite ka qenë e angazhuar në kundërshtimin e hidrocentraleve që janë ndërtuar në Parkun Nacional të Sharrit, duke organizuar protesta dhe aktivitete të ndryshme, por edhe duke informuar qytetarët për dëmet dhe pasojat që shkaktohen nga hidrocentralet në atë zonë.
Valon Raka, drejtor kësaj organizate thotë se ndalja e punës së hidrocentraleve do të ishte ideale. Por sipas tij, në situatën aktuale mund të ndërmerren edhe disa hapa me qëllim të përmirësimit të situatës në terren, si zbatimi i rrjedhës minimale ekologjike për të parandaluar tharjen e lumenjve dhe për të mbështetur jetën ujore. Ai thotë se hap tjetër i rëndësishëm do të ishte edhe ndalimi i operimeve që nuk janë në përputhje me rregullat dhe vlerësimet gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis para ndërtimeve, zgjerimeve të reja ose ndalimi i tërësishëm i tyre në të ardhmen.
“Duhet të bëhet instalimi i kalimeve të sigurta për peshq e jo ndërtimeve konkrete që i kemi e që nuk përputhen me situatën në terren, rrjeta dhe kanale anashkaluese për të mundësuar migrimin lart/poshtë rrjedhës dhe për të parandaluar bllokimin, e jo sa për sy e faqe”, thotë Raka.
Ai mendon se hap tjetër i duhej të ishte edhe rivendosja e habitateve përmes mbjelljes së pemëve, krijimit të pellgjeve dhe shpëlarjes së rrjedhave për të ujitur shtretërit e zhavorrit dhe hartimi i planeve për menaxhimi të pellgjeve ujore që të zvogëlohet impakti negativ mjedisor.
Sipas Rakes, hap i rëndësishëm është edhe realizimi i inspektimeve të rregullta dhe raportime nga komuniteti për të ndaluar shkeljet eventuale.
Digat si alternativë e hidrocentraleve
Së fundi është përmendur dhe premtuar nga Qeveria e Kosovës ndërtimi i pesë digave në Kosovë. Por ajo çka mbetët e paqartë është se a do të ndikojë ndërtimi i tyre në funksionimin e hidrocentraleve aktuale.
Lidhur me këtë çështje nga MMPH kanë thënë se në rastet kur konstatohet se hidrocentralet e vogla që janë licencuar në zona ku planifikohen projekte strategjike, si ndërtimi i digave për furnizim me ujë të pijes apo për ujitje, Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore (ARPL) ka kompetencë të rishikojë lejet ujore dhe të ndërmarrë veprime në funksion të realizimit të projekteve me rëndësi të lartë socio-ekonomike.
“Kjo kompetencë është e përcaktuar në Udhëzimin Administrativ nr. 03/2018, neni 5, pika 2.1”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.
Agron Rushiti nga fshati Biti e Shtërpcës që është angazhuar vazhdimisht kundër ndërtimit të hidrocentraleve, përkatësisht futjen e lumit Lepenc në gypa, duke përfshirë edhe protestat, nuk ka shpresë që institucionet e Kosovës do t’i largojnë hidrocentralet që janë ndërtuar në Lepenc e që kanë shkaktuar shumë pasoja edhe në fshatin e tyre. Por ai ka dëgjuar të flitet për ndërtimin e digës së Firajës.
Rushiti thotë se nëse ndërtohet kjo digë, uji mund të përdorët edhe për prodhimin e energjisë elektrike dhe nuk ka nevojë për hidrocentrale tjera në atë zonë.
“Shpresa e vetme është diga, jo vetëm për fshatin tonë dhe Lepencin, por edhe për të gjithë Kosovën”, u shpreh Rushiti.
Hidrocentralet po vazhdojnë ta dëmtojnë ekosistemin
Hidrocentralet që janë duke operuar në Kosovë po vazhdojnë të shkaktojnë pasoja mjedisore. Kjo së fundi është vërtetuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ministrja e MMPH-së, Fitore Pacolli me datën 2 mars të këtij viti ka marrë një vendim që brenda 30 ditëve të bëhet një inspektim i jashtëzakonshëm në hidrocentralet që janë duke operuar në Kosovë. Aty theksohet se ky vendim merret pas raportimeve të shumta për degradim të shtretërve të lumenjve dhe dyshimeve të bazuara për operime të paligjshme të disa operatorëve ekonomikë.
Pas inspektimit të 25 hidrocentraleve, raporti i inspektoratit nxjerr në pah shkelje të përsëritura mjedisore dhe mungesë të respektimit të kushteve të lejeve ujore nga hidrocentralet.
Një nga gjetjet kryesore të inspektoratit është mosrespektimi i minimumit biologjik, pra moslënia e sasisë minimale të ujit në lumenj pas devijimit të ujit për prodhim të energjisë elektrike. Sipas raportit, në disa raste është konstatuar se sasia e ujit që mbetet në rrjedhën e lumenjve nuk është e mjaftueshme për ruajtjen e ekosistemit ujor dhe jetës së gjallesave në lumë.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e pajisjeve për matjen e minimumit biologjik dhe ujëmatësve në disa hidrocentrale. Sipas inspektoratit, në disa raste vendosja e tyre nuk është realizuar për shkak të mungesës së aprovimeve dhe softuerit nga institucionet përgjegjëse.
Përveç kësaj, gjatë inspektimeve janë konstatuar edhe probleme infrastrukturore, përfshirë rrugë të peshqve të papërfunduara ose jo funksionale, porta të mbyllura dhe mirëmbajtje jo të mirë të ujë marrësve.
Si masa ndaj operatorëve, inspektorati ka shqiptuar gjoba për shkelje të kushteve të lejeve ujore, ka lëshuar urdhëresa për respektimin e minimumit biologjik dhe ka vendosur afate për rehabilitim të gjendjes në terren dhe harmonizim të dokumentacionit. Gjobat kanë variuar nga 1 mijë deri në pesë mijë euro për operatorët ekonomikë.
Sipas legjislacionit, nëse shkeljet janë sistematike, kjo i hapë rrugë masave të ndryshme përfshirë edhe pezullimin, por edhe ndërprerjes së punës së hidrocentraleve. Në këtë aspekt kërkohet një monitorim më rigoroz ndaj hidrocentraleve, ndërsa edhe masat që mund të merren do të jenë më së sigurta në aspektin juridik.
Egzona Shala-Kadiu nga EcoZ thotë se nga aspekti juridik, qasja graduale konsiderohet rruga më e sigurt dhe më efektive për të shmangur pasoja të mëdha ligjore dhe financiare për shtetin. Ajo thotë se masa si mosrinovimi i licencave, forcimi i standardeve mjedisore dhe monitorimi më rigoroz krijojnë një bazë më të qëndrueshme juridike për ndërhyrje ndaj operatorëve./EcoZ/