Ky raport i Organizatës ÇOHU! është raport monitorues mbi njëvjetorin e Qeverisë Thaçi dhe mbulon qeverisjen nga janari 2008 kur është formuar kjo qeveri deri në janar të këtij viti. Në këtë raport sikur edhe në monitorimet e kaluara preken fushat më të rëndësishme të qeverisjes në Kosovë si dhe prioritetet e qytetarëve të Kosovës bazuar në hulumtime të ndryshme të opinionit.
Raporti fillon me analizimin e logjikës që dominon në Qeverinë Thaçi, në kontekst të së cilës logjikë zhvillohen politikat dhe objektivat e kësaj qeverie. Shëndetësia dhe arsimi, kompanitë publike, emërimet politike dhe kontratat e dyshimta me kompani private, mungesa e llogaridhënies, rreziku nga autoritarianizmi si pasojë e nënshtrimit të Kuvendit të Kosovës, neutralizimit të opozitës, kapjes së agjensioneve të pavarura, politizimit të policisë dhe të gjykatave, si dhe kontrollit ndaj mediave nga ekzekutivi, të gjitha këto fusha janë mbuluar dhe vënë në kontekst politik të logjikës qeverisëse aktuale. Është kjo logjika e përqendrimit në imazh publik dhe konsolidimit të kontrollit të PDK-së në fushat vitale publike.
Tendenca të rrezikshme gjatë këtij viti janë sidomos përdorimi i policisë për disa arrestime spektakolare. Në disa raste duket sikur policia është përdorur vetëm si konsekuencë e akuzave publike të kryeministrit Thaçi drejtuar ndonjë institucioni siç ishin arrestimet në Aeroport apo janë përdorur thjesht dhe vetëm si një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga ndonjë dështim i qeverisë siç ishte rasti i arrestimeve në dogana dhe në veri të Mitrovicës.