Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka zhvilluar sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion të gjerë që ka përfshirë disa komuna e ku janë arrestuar disa persona.
Burime të Preportr brenda policisë së Kosovës kanë konfirmuar se arrestimet kanë të bëjnë me aferën një milionëshe, e për të cilën Preportr ka publikuar një hulumtim më 2 prill të vitit 2025.
“Në këtë aksion janë arrestuar Sami Mazreku dhe Valon Berisha. Gjithashtu janë arrestuar edhe disa persona tjerë të dyshuar si përfitues”, ka thënë ky burim.
Sami Mazreku ka qenë drejtor ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ndërkaq Valon Berisha drejtor i financave në BSK. Ata dyshohen për keqpërdorime financiare sa kanë qenë duke udhëhequr me byronë.
Artikuj të ngjashëm
Preportr në hulumtimin paraprak ka raportuar se mbi 1 milionë e 43 mijë euro që janë paguar nga Byroja Kosovare e Sigurimit, nuk po mund të evidentoheshin brenda këtij institucioni. Më thjesht, nuk po dihet se në xhepat e kujt kanë përfunduar këto para. Pagesat në fjalë ishin realizuar në vitin 2022 (59) dhe 2023 (107) si pagesa të dëmeve nga sigurimet kufitare dhe Memorandumet e Bashkëpunimit.
Në Byro nuk ka të dhëna për dëmet përkatëse që justifikojnë këto pagesa, si numri i lëndës së dëmit, raporti policor i aksidentit, vendimi i komisionit të vlerësimit të dëmeve, raportet e ekspertizës apo dokumentet e tjera mbështetëse.
Lidhur me dyshimet për keqpërdorime të ngritura edhe nga gjetjet e auditimit të brendshëm, ishte “vet-lajmëruar” ish-drejtori i financave dhe kontabilitetit në Byro, Valon Berisha.
Ai ka thënë se në funksionin e drejtorit të financave dhe kontabilitetit, ka qenë i vetmi përgjegjës për organizimin, kontrollin dhe ekzekutimin e operacioneve financiare, përfshirë vendimmarrjen mbi transaksionet, pagesat, raportimet financiare dhe çdo proces tjetër që lidhet me administrimin e fondeve dhe burimeve financiare të Byrosë.
Preportr ka kontaktuar me avokatin Fanol Krasniqi, për të marrë informacione tjera lidhur me arrestimin e Berishës, por ai tha se nuk është më avokat i Berishës dhe se ka qenë vetëm në fazën fillestare ku Berisha ka shprehur vullnetin ta pranojnë përgjegjësinë për këtë rast dhe është zotuar për kthimin e mjeteve në BKS.
Ndërsa avokati Arianit Koci që e ka deponuar kallëzimin penal në prokurori lidhur me këtë rast tha se nuk mund të ofrojë detaje të tjer.
Preportr pati realizuar edhe një hulumtim tjetër lidhur me keqmenaxhimin e BKS-së dhe dyshimet për keqpërdorim të buxhetit nga drejtuesit e BKS-së. Lidhur me këtë rast në korrik të vitit 2025 ka marrë një konfirmim nga Prokuroria Themelore e Prizrenit se po zhvillohen hetime.
Artikuj të ngjashëm
“Referuar kërkesës tuaj, konfirmojmë që Prokuroria Themelore në Prizren e ka pranuar rastin, dhe se jemi në fazën e grumbullimit të provave dhe informacioneve të nevojshme. Në këtë fazë është ende heret të ndajmë informacione me ju dhe me publikun, për shkak të cenimit të mundshëm të integritetit të hetimit”, thuhej në përgjigjen e prokurorisë.
Mbi 160 transaksione të dyshimta
Petrit Kryeziu, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren sot gjatë një konference për media tha se aksioni është shtrirë në gjithë territorin e Kosovës ku kanë marrë pjesë tetë prokuror dhe rreth 400 policës. Ai tha se gjatë këtij aksioni janë arrestuar 39 persona, ndërkaq shtatë të dyshuar të tjerë gjenden jashtë Kosovës.
“Kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta, në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore kinse si përfaqësueses të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023, përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar qysh në vitin 2016 dhe 2017”, theksoi Kryeziu.
Ai tha se të dyshuarit kanë aplikuar edhe 141 transaksione tjera të persona të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm, duke bartur shumta të ndryshme. Shuma më e vogël ka qenë 6 mijë e 800 euro, ndërsa më e larta 68 mijë euro.
“Kemi sekuestruar të holla cash në vlerë prej 23 mijë e 700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme etj. Në bashkëpunim me njësinë e inteligjencës Financiare dhe kemi arritur që t’i bllokojmë të hollat në vlerë prej 1 milionë e 300 mijë e 86 euro”, u shpreh Kryeziu.
Ndryshe, në maj të vitit 2024 Sami Mazreku dhe Valon Berisha kanë themeluar biznesin Peregrin Accounting & Consulting L.L.C. Edhe ky biznes është pjesë e hetimeve të prokurorisë, pasi që dyshohet se paratë që janë përfituar jashtëligjshëm nga Byroja, mund të jetë përdorur në këtë kompani.