Në epokën digjitale informacioni po përhapet shumë shpejt, ndërkaq mediat online dhe rrjetet sociale po e transformojnë mënyrën e shpërndarjes së informacioneve. Situata duket edhe më sfiduese me përdorimin e inteligjencës artificiale për të krijuar përmbajtje të rreme. 

Me shtimin e mediave online dhe përdorimin masiv të rrjeteve sociale, është rritur  dinamika dhe rreziku i përhapjes së lajmeve të rreme dhe dezinfomatave. Kjo gjë mund të ndikojë te opinioni publik, besimi i qytetarëve tek mediat, e sidomos të rinjtë të cilët janë shumë të ekspozuar në rrjetet sociale edhe platforma të ndryshme online. Në këto zhvillime Kosova nuk përbën përjashtim.

Sipas një raporti të UNICEF-it “Keqinformimi dhe dezinformimi dixhital te fëmijët” i publikuar në vitin 2021, rezulton se fëmijët dhe të rinjtë janë një grup veçanërisht i ekspozuar dhe shpesh i synuar nga përmbajtjet e manipuluara. Studimi dokumenton se adoleshentët që përdorin intensivisht rrjetet sociale (p.sh. platforma vizuale dhe meme), kanë vështirësi në vlerësimin e burimeve online dhe për këtë arsye shpesh bien viktimë e lajmeve të rreme dhe fushatave dezinformuese.

Për më tepër, mungesa e edukimit medial, si në rastin e Kovës, ndaj përmbajtjes së shpërndarë, përforcon këtë fenomen, duke e bërë të vështirë identifikimin e informacionit të besueshëm në një hapësirë të mbushur me informacione të pasakta dhe manipulime.

Lajmet e rreme dhe dezinformatat kanë qëllime të ndryshme, varësisht në çfarë periudhe dhe rrethanash publikohen. Ato kanë për qëllim që të krijojnë reagime emocionale, si frikë, zemërim apo entuziazëm, për të bindur njerëzit të shpërndajnë informacione të tilla. E qëllimi kryesor i dezinformatave është të ndikojë në perceptimin e njerëzve, të përhapin paqartësi, të nxisin  ndarje shoqërore, politike ose të promovojnë interesa të caktuara personale, politike dhe ekonomike. 

Organizata ÇOHU!, me qëllimin për të marrë perceptimet dhe njohuritë e përgjithshme të nxënësve të shkollave të mesme lidhur me dezinformatat dhe lajmet e rreme, ka realizuar një anketim me mbi 400 nxënës të 15 shkollave të mesme të Kosovës. Nxënësit e anketuar janë nga klasa e 10-të deri në të 12-tën. Qëllimi kryesor i këtij anketimi ka qenë për të parë se sa dinë ata për dezinformatat, burimet nga të cilat informohen, dhe gatishmëria e tyre për t’i identifikuar ato. Nga rezultatet e pyetësorit me nxënës të shkollave të mesme, mbi 97 % e tyre thonë të kenë dëgjuar për termin lajme të rreme dhe kanë hasur në lajme të tilla. 

Blue Pie Chart Presentation (1)-1
Nxënësit janë pyetur se çka kuptojnë me termin lajme të rreme dhe prej tyre 96.5% kanë thënë se lajmet e rreme i kuptojnë si lajme që nuk janë të vërteta dhe janë krijuar për të mashtruar, 6.9 %  prej tyre janë shprehur lajme që janë të paplota ose të interpretuara gabimisht, 0.99 %  prej tyre janë përgjigjur me lajmet që janë humor apo satire si dhe 0.49 % lajme që më pëlqejnë më pak ose nuk përputhen me mendimin tim.  

Në pyetjen se çka mendoni se pse krijohen lajmet e rreme, sipas përgjigjeve të nxënësve, 80.6% prej tyre mendojnë se lajmet e rreme krijohen për përfitime financiare (klikime), 56.9% janë shprehur se mendojnë për të manipuluar opinionin publik, 24.3% për arsye politike, 32.% për të përhapur panik apo konfuzion. Gjithashtu, 1.7% prej tyre thonë se nuk e dinë arsyen e krijimit të lajmeve të rreme, e ndërsa 2.9 % prej tyre kanë shprehur opinione të ndryshme mbi lajmet e rreme.

Ku përhapen më së shumti lajmet e rreme?

Sipas të dhënave të anketimit, 49% e nxënësve kanë thënë se çdo ditë shohin lajme të rreme në mediat online, 26% thotë se çdo javë, 8.2 janë përgjigjur se rrallë shohin lajme të rreme, ndërsa 16% janë përgjigjur se nuk e dinë.

Ndërsa të pyetur se nga cilat burme mendojnë se përhapen lajmet e rrem, 85% kanë thënë nga rrjetet sociale, 23% nga portalet e lajmeve, ndërsa 3.4% nga televizionet.
Blue Pie Chart Presentation (5)
Preportr ka pyetur Hibridin, një platformë e cila analizon dhe kontrollon lajmet e rreme, dhe lajmet që përhapin dezinformata dhe njofton publikun rreth këtyre fenomeneve duke realizuar edhe kontrollim të fakteve. Sipas Festim Rizanaj, hulumtues në ketë platformë, gjatë periudhës korrik 2023 – korrik 2025, Hibrid ka identifikuar rreth 1300 përmbajtje keqinformuese, duke përfshirë lajme të rreme, tituj clickbait, dezinformata, përmbajtje të paverifikuara, mashtrime, gabime faktike, manipulime dhe teori konspirative.

Ai thotë se rreth 75% e këtyre përmbajtjeve janë publikuar në platformat e mediave sociale – si Facebook, TikTok, Instagram dhe Telegram – përmes faqeve, llogarive apo kanaleve të ndryshme. Ndërkohë, 25% thotë se janë gjetur në media tradicionale (reale), kryesisht në formën e artikujve me tituj sensacionalë, përmbajtje të pasakta apo të paverifikuara.

Në media sociale dominon shpërndarja e qëllimshme e lajmeve të rreme dhe mashtrimeve, në media reale keqinformimi shpesh shfaqet nëpërmjet neglizhencës profesionale apo mungesës së verifikimit.
— Festim Rizanaj, HIBRID

Ai thotë se ndër tri arsyet kryesore që po krijohen lajmet e rreme janë qëllimi financiar, politika e brendshme dhe ndikimi i jashtëm.

“Shumë lajme të rreme përhapin përmbajtje sensacionale me tituj klikues (clickbait), me qëllim tërheqjen e trafikut në faqe interneti ose rrjete sociale për përfitime monetare nga reklamat dhe klikimet”, u shprehu ai.

Përveç qëllimit financiar, sipas tij lajmet e rreme krijohen edhe për politika të brendshme, duke thënë se dezinformatat po përdoren për të manipuluar opinionin publik të një vendi, duke shtrembëruar faktet me synim dëmtimin e kundërshtarëve politikë, sidomos gjatë fushatave apo krizave politike.

Gjithashtu arsyeja e tretë që ai mendon se krijohen lajmet e rreme është ndikimi i jashtëm, ku shtetet e huaja po përdorin narrative dezinformuese.

“Shtetet apo aktorët e huaj (si Serbia dhe Rusia në rastin e Kosovës) përdorin narrativa dezinformuese për të ndikuar në opinionin publik, për të përhapur pasiguri, për të dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës apo për të minuar sovranitetin e saj”, ka thënë Rizanaj.

“Smogu informativ”

Krijuesit e lajmeve të rreme dhe dezinformatave zakonisht i drejtohen kategorive të caktuara të shoqërisë që konsiderohen më të ndjeshme ndaj ndikimit të përmbajtjeve manipuluese, përfshirë edhe të rinjtë. Përmes gjuhës emocionale, titujve sensacionalë dhe përmbajtjes që shpesh lidhet me temat e përditshme apo çështje të ndjeshme, ata synojnë të ndikojnë në mënyrën se si individët i perceptojnë ngjarjet dhe realitetin përreth tyre.

Të rinjtë, të cilët janë ndër përdoruesit më aktivë të rrjeteve sociale dhe platformave digjitale, shpesh përballen me sfidën për të dalluar informacionin e saktë nga ai i rremë, veçanërisht në mungesë të edukimit mediatik apo burimeve të sigurta.

E për këtë nxënësit e shkollave të mesme janë pyetur se cilat grupe mendojnë se preken më shumë nga lajmet e rreme. Sipas të dhënave të gjeneruara nga përgjigjet e 402 nxënësve, rezulton se 37.56% prej tyre mendojnë se të rinjtë preken më shumë nga lajme te rreme, 26.11% mendojnë se të moshuarit, prej tyre 24.12% janë shprehur se të gjithë personat njësoj preken nga lajmet e rreme, dhe 11.19% prej tyre mendojnë që personat me më pak arsimim.
Blue Pie Chart Presentation (9)Nga përvoja e monitorimit të mediave sipas hulumtuesit Rizanaj, targeti kryesor i lajmeve të rreme janë grupet e caktuara të shoqërisë që janë më të ndjeshme ose më të prekshme ndaj manipulimit informativ, siç janë personat me bindje të forta politike, pensionistet, dhe të rinjtë.

“Së pari, persona me bindje të forta politike shpesh targetohen në mënyrë të drejtpërdrejtë me përmbajtje dezinformuese që përforcojnë ose radikalizojnë opinionet e tyre, veçanërisht në rrjetet sociale, ku algoritmet favorizojnë polarizimin”, është shprehur Rizanaj.

Hulumtuesi Rizanaj thotë se rritja e shpejt e përdorimit të platformës Tiktok, po ndikon që përmbajtjet dezinformuese të përhapen në masë të madhe, veçanërisht tek të rinjtë. 

Ai ka thënë se platformat Facebook, Instagram, Tiktok dhe Youtube në vend që të zbusin problemin e dezinformimit, shpesh e përkeqësojnë për shkak të mungesës së transparencës sepse shumë here nuk dihet se kush qëndron pas faqeve apo llogarive që shpërndajnë përmbajtje, çka e vështirëson verifikimin dhe llogaridhënien.

“Për më tepër, fakti që çdo kush ka mundësinë të publikojë informacione ka zbehur rolin tradicional të gazetarëve si figura me autoritet në dhënien e lajmit të saktë. Kjo ka krijuar një mjedis të ngarkuar me përmbajtje – një “smog informativ” – ku është gjithnjë më e vështirë të dallohet e vërteta nga gënjeshtra”, ka thënë ai. 

Edhe përdorimi i inteligjencës artificiale ka ndikuar në krijimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme, ani pse e njëjta përdorët edhe për luftimin e kësaj dukurie. 

Alban Zeneli profesor në departamentin e gazetarisë në UP, thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale ka ndikuar që lajmet e rreme dhe dezinformatat të shpërndahen më shumë, por edhe të jenë më të “sofistikuara”.

Sipas tij, inteligjenca artificiale është një nivel shumë i lartë i programimit dhe përdorimit të algoritmeve të cilat gjenerojnë përmbajtje të ngjashme siç janë fotografitë, videot, etj.

“Në kuptim të mundësisë për zhvillimin më të madh formave të dezinformimit, përdorimi i kësaj teknologjie figurativisht thënë është si benzina e hedhur mbi një zjarr të ndezur tashmë”, thotë Zenelit.

Blue Pie Chart Presentation (6)
Ai thotë se përkundër përpjekjeve, përdorimi i kësaj teknologjie në luftën kundër dezinformimit nuk është duke pasur aq sukses, meqë i ngjanë garës së keqbërësit me policin, gjithmonë keqbërësi gjen një mënyrë më të shkurtër për të përdorur këtë infrastrukturë teknologjike për të dezinformuar.

Përpjekjet për vetrregullim

Në Kosovë ekziston mekanizmi vetërregullues i mediave të shkruara të Kosovës që është Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Ky mekanizëm është adresa ku duhet të dërgohen ankesat ndaj mediave të shkruara në rastet kur ka pretendime për shkelje etike gjatë raportimit. KMShK si bazë të funksionimit në këtë aspekt, e ka Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili përditësohet kohë pas kohe për shkak të ndryshimeve që janë imperativ i kohës sidomos në fushën e mediave online. 

Kapitulli i dytë I këtij kodi ka të bëjë me raportimin e së vërtetës dhe në këtë kapitull theksohet se gjatë punës së tyre gazetarët dhe redaktorët duhet ta respektojnë të vërtetën faktike dhe të drejtën e publikut që ta dijë të vërtetën, gazetarët dhe redaktorët, në parim, duhet të mbështeten në burime të identifikueshme të informacioneve. Gazetarët dhe redaktorët kanë obligim profesional që me kohë të korrigjojnë çfarëdo informacioni të publikuar, për të cilin vërtetohet së është i pasaktë. 

Ndalohet që fotografitë, imazhet, audiot apo videot dhe dokumentet të falsifikohen dhe/apo të shfrytëzohen për qëllime keqinformimi. Gjithashtu theksohet se mediat duhet të krijojnë praktika të qarta të identifikimit të burimeve dhe verifikimit të fakteve para publikimit të lajmit, me fokus të veçantë në identifikimin e burimit të parë të informacionit, mediat duhet të angazhohen në verifikimin e fakteve qoftë brenda redaksive, qoftë duke bashkëpunuar me individë ose organizata që merren me verifikimin e fakteve.

Në këtë kapitull theksohet se mediat e shkruara duhet të verifikojnë informacionin përpara botimit, ashtu që të sigurohet se informacioni është i vërtetë, i bazuar në fakte dhe i besueshëm.

“Mediat e shkruara nuk duhet të përdorin apo botojnë, shfaqin apo publikojnë në çfarëdo forme, tekste, audio, video apo dokumente të manipuluara, mediat duhet të kenë kujdes në verifikimin e të gjitha llojeve të lajmeve të rreme, të shfaqura në formën Deepfake ose forma të tjera të ngjashme të avancuara, të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale”, thuhet ndër të tjera në këtë kapitull.

Imer Mushkolaj drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ka thënë se KMShK merr vendime kryesisht bazuar në ankesat që i drejtohen nga palët. Shkeljet evidentohen dhe vendimet merren bazuar në kodin etik të mediave të shkruara.

“KMShK ka trajtuar dhe ka marrë vendime edhe për raste të tilla. Duhet pasur parasysh që KMShK merr vendime për të gjitha përmbajtjet që nuk e përmbushin kodin e etikës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Rizanaj nga Hibrid, konsideron se një nga format më të rëndësishme për parandalimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave është rregullimi i hapësirës digjitale, përmes legjislacionit dhe politikave që kufizojnë përhapjen e përmbajtjeve të rrezikshme, veçanërisht atyre të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe teknologjitë si deepfake.

“Po ashtu, edukimi i publikut luan një rol kyç. Qytetarët duhet të pajisen me njohuri për të identifikuar format e keqinformimit dhe të kuptojnë rëndësinë e përdorimit të burimeve të besueshme dhe të verifikuara. Promovimi i edukimit medial në shkolla dhe përmes fushatave publike është esencial për një qasje më të vetëdijshme dhe të sigurt ndaj informacionit”, ka shtuar gjithashtu ai.

Roli i shkollës në edukimin medial

Ndikimi i madhi mediave sociale ka krijuar në Kosovë një mjedis ku dezinformatat dhe lajmet e rreme po përhapen me shpejtësi. Kjo situatë po ndikon në mënyrë negative në perceptimet e qytetarëve për zhvillime të ndryshme. Për më tepër, mungesa e edukimit medial ndaj përmbajtjes së shpërndarë përforcon këtë fenomen, duke e bërë të vështirë identifikimin e informacionit të besueshëm në një hapësirë të mbushur me informacione të pasakta dhe manipulime.

Përmes anketimit janë pyetur nxënësit se a dinë t’i dallojnë lajmet e rreme, dhe me çfarë mënyra sigurohen që ta verifikojnë që një lajm për të cilin kanë dyshime se është i rremë. 69.6% janë përgjigjur se kërkojnë informata nga burime të tjera (media tjera), 23.8% kontrollojnë burimin e lajmit, 3.7% kontrollojnë datën e publikimit, gjithashtu nga përgjigjet e nxënësve prej tyre 7.4% lexojnë komentet e njerëzve dhe 1.5% nuk bëjnë asgjë për t’u siguruar që është i vërtetë.
Blue Pie Chart Presentation (3)-1

Një ndër faktorët kryesorë që ndikon që qytetarët mos kenë aftësi të mjaftueshme për të dalluar informacionin e saktë nga ai i rremë është mungesa e edukimit medial. Lidhur me këtë janë pyetur edhe nxënësit se a duhet shkolla të ofrojë mësime mbi edukimin medial,. Shumica prej tyre janë shprehur pozitivisht lidhur me këtë, 68.4 % prej tyre kanë thënë “Po”, duke theksuar nevojën për edukim në këtë fushë. 13.6 % prej tyre nuk e konsiderojnë të nevojshme, ndërsa 17.9 % janë të pasigurt se a duhet apo jo.

Lidhur me edukimin medial Imer Mushkolaj nga KMShK se kanë bashkëpunuar dhe vazhdimisht bashkëpunojnë me institucione dhe organizata të shoqërisë civile për të ngritur vetëdijen ndaj dezinformimit dhe se gjithashtu ky institucion është pjesë e projekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën kundër dezinformimit.

“Verifikimi i fakteve para se përmbajtjet mediale të konsumohen është një ndër mënyrat. Por, po ashtu, është e domosdoshme që në moshë sa më të re qytetarët të edukohen për përdorimin e mediave, në mënyrë që të mos bien pre e lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave. Po ashtu, mediat duhet të respektojnë kodet e etikës” ka shtuar ai.

Është e domosdoshme që në moshë sa më të re qytetarët të edukohen për përdorimin e mediave, në mënyrë që të mos bien pre e lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave. Po ashtu, mediat duhet të respektojnë kodet e etikës.
— Imer Mushkolaj, KMShK


Alban Zeneli, profesor në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë se edukimi për median është i rëndësishëm dhe duhet të jetë lëndë obliguese në sistemin publik të arsimit para universitar.

Ai thotë se mësimet aktuale për median që janë në kuadër të lëndëve tjera si Edukata Qytetare apo Gjuha dhe Komunikimi, ofrojnë dije të tejkaluara për median dhe nuk i përgatisin të rinjtë për t’u përballur me fluksin e madh të komunikimit online që ndodhë këto ditë.

“Të rinjtë tanë janë në vazhdimësi të ekspozuar ndaj rrezikut që të gënjehen nga përmbajtjet dezinformuese, e rrjedhimisht edhe sjelljet e vendimet e tyre t’i bazojnë në këto gënjeshtra”, është shprehur Zeneli.

Ai ka thënë se së bashku  me kolegët e Departamentit të Gazetarisë dhe Sindikatën e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), kanë mbajtur një trajnim bazik, i cili ë ka qenë i licencuar nga MASHT-i, dhe kanë trajnuar mbi dy mijë mësimdhënës në gjithë Kosovën që janë aktualisht në sistem.

“Nga këto kontakte mund të them që ka shumë mësimdhënës të cilët do ta zotëronin pa problem përmbajtjen dhe teknikat e mësimdhënies së një kursi bazik të Edukimit për Media për nxënësit në shkollimit parauniversitar”, theksoi Zeneli.

Artikuj të ngjashëm