Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe auditimeve të brendshme zbulojnë probleme të mëdha financiare dhe menaxheriale në ndërmarrjen publike që furnizon me ngrohje një pjesë të madhe të banorëve të Prishtinës.
Ndërmarrja publike Termokos, njëra nga ndërmarrjet kyçe për shërbimet publike në kryeqytet, po përballet prej vitesh me gjetje serioze të auditimit, dyshime për keqpërdorim të pasurive, mungesë të kontrollit të brendshëm, politizim të pozitave kryesore menaxheriale dhe nepotizëm në punësime.
Këto shqetësime dalin në pah në raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitet 2023 dhe 2024, të cilat kanë rezultuar me opinion të kundërt, si dhe në një sërë auditimesh të brendshme dhe dokumentesh zyrtare që janë analizuar nga organizata Çohu/Preportr, në kuadër të një hulumtimi më të gjerë mbi funksionimin e ndërmarrjeve publike në Kosovë. Opinioni i kundërt do të thotë se ZKA-ja ka konstatuar se pasqyrat financiare të Termokosit janë të pasakta dhe tregojnë se ka pasur keqmenaxhim.
Bordi i drejtorëve nuk e ka mbajtur përgjegjës menaxhmentin e viteve me të cilat korrespondojnë gjetjet e raporteve të ZKA-së, pasi sipas tyre, problemet e evidentuara në raporte janë të trashëguara.
Ndërmarrjes i mungon transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve. Pasi që kërkesat e Organizatës Cohu-Preportr, nuk janë trajtuar sipas afateve ligjore, me ndërmjetësimin edhe të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, janë dashur pothuajse një vit për të arritur të këtë qasje në dokumentet publike të kësaj ndërmarrjeje.
Termokos nuk i është përmbajtur as memorandumit që e ka nënshkruar dhe është zotuar për të me disa prej organizatave të shoqërisë civile në Kosovë dhe ndërmjetësim nga Ambasada Britanike në Kosovë.
Raportet e ZKA-së me opinion të kundërt
Hulumtimi i Preportr ka nisur mbi bazën e raporteve të ZKA-së, të cilat evidentojnë se Termokos, megjithëse ndërmarrje që gjeneron të hyra të konsiderueshme nga inkasimi i ngrohjes, ka shfaqur dobësi të mëdha në menaxhimin financiar dhe administrativ.
ZKA, ka identifikuar probleme serioze në menaxhimin e pasurive fikse, mosprezantim të saktë të pasqyrave financiare, mangësi në administrimin e kontratave me konsumatorët, mungesë transparence dhe rrezik për pasaktësi materiale në raportimet financiare.
Në raportet e viteve 2023 dhe 2024, Termokos ka marrë opinion të kundërt, ndërsa gjetjet kryesore kanë qenë pothuajse identike në të dyja vitet.
Sipas regjistrit të konsumatorëve për vitin 2024, Termokos ka 25,115 konsumatorë aktivë, por kontrata të rregullta posedon vetëm me 14,733 prej tyre, apo rreth 59%.
Pika më e ndjeshme ku është fokusuar më së shumti ZKA është procesi i vlerësimit të pasurive.
“Procesi i vlerësimit të pasurive është realizuar për herë të fundit në vitin 2005. Aktualisht, në regjistër figurojnë 3,247 pasuri me vlerë neto zero në libra kontabël dhe me kosto historike totale prej 4,201,952 euro. Këto pasuri përfshijnë objekte ndërtimore, makineri, automjete dhe pajisje zyre, të cilat vazhdojnë të jenë aktive, pa rivlerësim dhe pa rishikim të jetëgjatësisë”, thuhet në raportin për vitin 2024.
“Edhe pse gjatë vitit 2024 është angazhuar një kompani e specializuar për rivlerësimin e aseteve, procesi nuk ishte përfunduar deri në mbylljen e auditimit”, theksohet në raport.
E gjetura tjetër e ZKA-së që përmendet në të dy raportet është mungesa e kontratave me konsumatorë.
“Sipas regjistrit të konsumatorëve për vitin 2024, Termokos ka 25,115 konsumatorë aktivë, por kontrata të rregullta posedon vetëm me 14,733 prej tyre, apo rreth 59%, thuhet në raport.
Në regjistrin e konsumatorëve figurojnë edhe 13 konsumatorë të regjistruar si “NN”, me borxh total prej 27,011 euro, të cilët nuk janë identifikuar as pas përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarrjes.
“Mungesa e kontratave dhe regjistrimi i paqartë i konsumatorëve, përveçse bie ndesh me ligjin, pamundëson edhe aplikimin e masave për mbledhjen e borxheve”, thuhet aty.
Në të dy vitet e auditimit, ndërmarrja edhe pse ishte zotuar, nuk kishte arritur të zbatojë shumicën e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Raporti i auditimit për pasqyrat financiare të vitit 2022 ka rezultuar me 22 rekomandime kryesore. Megjithëse menaxhmenti ka përgatitur plan veprimi për adresimin e tyre, një numër i madh rekomandimesh ka mbetur i pazbatuar.
Deri në fund të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, gjashtë ishin zbatuar pjesërisht, 11 nuk ishin zbatuar fare.
As në raportin e vitit 2024, shumica e rekomandimeve të ZKA-së nuk ishin zbatuar. Vetëm dy prej tyre ishin zbatuar, njëmbëdhjetë jo, një pjesërisht, ndërsa katër ishin mbyllur.
Borxhe të mëdha dhe vendime pa debat
Punësimet, të gjeturat e raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të auditorit të brendshëm, faturimi, pagesat e punëtorëve pa mbulesë punët rreth projekteve të mëdha, kanë qenë subjekt diskutimi pothuajse në të gjitha mbledhjet e Bordit të Drejtorëve, procesverbalet e të cilave i ka siguruar Preportr, përmes qasjes në dokumente publike.
Procesverbalet e Bordit të Drejtorëve zbulojnë se Termokos ka borxhe prej qindra mijëra eurosh ndaj operatorëve të tjerë. Në një mbledhje të majit 2024 përmendet borxhi prej 716 mijë eurosh ndaj KEDS-it, i cili u cilësua si borxh i mëhershëm dhe u anashkalua pa diskutim të thelluar.
Në procesverbalin e dhjetorit 2024, sërish përmendet çështja e borxheve, përfshirë atë që në diskutime është quajtur “borxh i keq”. Anëtarët e Bordit dhe menaxhmenti kanë diskutuar nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje për mënyrën e veprimit. Borxhi i keq konsiderohet një borxh që ka shumë pak gjasa të paguhet për shkak se borxhliu nuk ka para për ta kthyer ose ka i vonuar pagesat për një kohë të gjatë.
Në shkurt 2024, Bordi ka miratuar Planin e Dekarbonizimit të Termokos, një dokument strategjik që synon transformimin gradual të ndërmarrjes drejt burimeve më të qëndrueshme të energjisë.
Në mbledhjen e dhjetorit 2024 është diskutuar edhe për ecurinë e tri projekteve madhore kapitale: “Solar 4Kosovo”, dyfishimi i kapaciteteve termike dhe “Prishtina HeatSave”. Sipas raportimit në Bord, projekti “Prishtina HeatSave” është drejt finalizimit, ndërsa për projektet e tjera janë dhënë informata mbi fazën e realizimit.
Një nga temat më të ndjeshme të vitit 2024 ka qenë fillimi i faturimit në bazë të konsumit. Në një nga mbledhjet, kryeshefi Osmani ka paralajmëruar se kjo metodë e re mund të shkaktojë pakënaqësi te konsumatorët.
Ai ka sqaruar se ankesat e shumta të pranuara nga qytetarët lidhen kryesisht me faturimin e konsumit të përbashkët, i cili për herë të parë është përfshirë në fatura. Sipas tij, ZRRE e ka obliguar ndërmarrjen që ta faturojë këtë pjesë, e cila përbën rreth 20 për qind të totalit të konsumit të përbashkët.
Bordi ka kërkuar nga menaxhmenti që të formojë një komision të posaçëm për trajtimin e ankesave të konsumatorëve.
Në procesverbalin e muajit shtator 2024 diskutohet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes në disa lagje të Prishtinës, përfshirë Lakrishten dhe zonën e “Banesave të Bardha” në Kodrën e Diellit. Kryesuesi i Bordit, Visar Vokrri, ka ngritur shqetësimin nëse këto investime mund ta rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes. Sipas përgjigjes së dhënë nga menaxhmenti, investimet nuk e rrezikojnë stabilitetin financiar.
Në disa mbledhje është përmendur edhe çështja e “borxhit të ngrirë”, e evidentuar në raportin e ZKA-së. Kryesuesi Vokrri ka theksuar se kjo çështje duhet të adresohet dhe se duhet të merret një opinion nga Komuna e Prishtinës për mënyrën e trajtimit të saj. Borxhi i ngrirë figuron në libra kontabël, por për momentin nuk kërkohet të paguhet deri sa të sqarohet situata.
Në mbledhjen e shtatë të Bordit për vitin 2023 është diskutuar për stimulimin financiar të punëtorëve me rastin e festave, përfshirë Bajramin. Kryesuesi i Bordit është pajtuar me praktikën e stimulimit, por ka kërkuar që të shqyrtohen alternativa të tjera dhe që këto iniciativa të lidhen me performancën e punëtorëve. Propozimi për stimulim është miratuar, edhe pse kryesuesi ka mbetur në qëndrimin se duhet një qasje më e strukturuar dhe e bazuar në performancë.
Humbje masive të ujit dhe mungesa e lejes mjedisore
Preportr ka pasur qasje edhe në raporte të Auditorit të Brendshëm të ndërmarrjes Termokos. Në këto raporte janë evidentuar parregullsi dhe gjetjet kryesisht konsistojnë në mosfunksionim të kontrollit të brendshëm, mospërputhje mes kontabilitetit dhe inkasantëve, mungesë të rregulloreve për menaxhimin e pasurive, mospërputhje në vlerësimin e aseteve që shkojnë në qindra mijëra euro, mungesë të strategjisë dhe rregulloreve për teknologjinë informative.
Auditimi i departamentit të prodhimit për vitin 2023 ka evidentuar humbje të ujit prej 84,254 m³, rritje prej 9.49% krahasuar me vitin paraprak. Përkundër rekomandimeve për përdorimin e teknologjive moderne për identifikimin e rrjedhjeve, humbjet vazhdojnë.
Për këtë pikë është diskutuar edhe në mbledhje të Bordit të Drejtorëve. Anëtarët e Bordit e kanë problematizuar këtë çështje në mbledhje. Përpjekjet sipas menaxhmentit janë që humbjet e ujit të shkojnë në zero, por që tani për tani është e pamundur.
Po ashtu, Termokos nuk posedon leje mjedisore, rekomandim i përsëritur nga auditorët për disa vite rresht, duke e ekspozuar ndërmarrjen ndaj masave ndëshkuese ligjore.
Në raportin për sigurinë dhe shëndetin në punë, auditori i brendshëm kishte gjetur se kishte mungesë totale të vlerësimit të rrezikut në punë.
Sipas këtij raporti përveç që nuk ekziston vlerësim i rrezikut në vendet e punës, mungojnë trajnimet për siguri dhe shëndet në punë, nuk ka dokumentacion për parandalimin e rreziqeve profesionale.
Kjo situatë sipas raportit paraqet rrezik serioz për punonjësit dhe shkelje të drejtpërdrejtë të legjislacionit në fuqi.
“Rekomandojmë menaxhmentin që konform kërkesave ligjore për siguri dhe shëndet të bëjë vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës, me qëllim të parandalimit të rrezikut, përfshirjen dhe ekspozimin e të punësuarve nga elemente të dëmshme dhe të rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë në punë gjatë procesit të punës”, thuhet në raport.
Politizim, nepotizëm dhe mbipunësime
Një problem tjetër i evidentuar në ndërmarrje e që është problem i theksuar në të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë është mbipunësimi dhe punësimet nepotike e politike. Preportr ka gjetur që në Termokos janë punësuar persona me lidhje familjare dhe partiake, praktikë që sipas ekspertëve rrezikon drejtpërdrejt qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes.
Sipas disa hulumtimeve të realizuara ndër vite nga Preportr mbi patronazhin politik, Termokos është udhëhequr nga persona me prapavijë të qartë politike. Kryeshefat dhe anëtarët e bordeve, sipas hulumtimeve të Preportr, kanë qenë të lidhur ngushtë me partitë politike, përfshirë ish- kryeshefat. Fëllanza Pula ka qenë e lidhur me PDK-në, Arsim Janova me LDK-në, Naser Canolli ishte nga PDK, dhe i fundit Fisnik Osmani i lidhur me LDK-në. Edhe në Bord të Drejtorëve ka pasur persona që janë të lidhur me partitë politike. Ish-kryesuesi i Bordit të Drejtorëve Imer Hamiti ka qenë pjesë e AAK-së etj.
Përgjatë viteve 2020-2024, në ndërmarrjen Termokos, janë punësuar mbi 80 persona. Në këtë listë që Preportr e ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike, ndër personat e punësuar ka aktivistë partiakë, asamblistë e ish -asamblistë, ish- deputet, familjarë të politikanëve etj. Shumica prej tyre kanë lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në ndërmarrje janë punësuar Fidan Rekaliu ish-deputet i LDK-së, që sipas listës që e ka dërguar Termokos ai mbanë pozitën e inspektuesit të mbrojtjes dhe sigurisë në punë. Një tjetër eksponent i LDK-së i punësuar në Termokos është edhe ishnënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Afrim Namani. Ai në Termokos është punësuar në pozitën e inxhinierit përgjegjës të kimisë. Në pozitën e fotografit në ndërmarrje është pranuar Naser Ramadani, (më vonë e ka ndërruar pozitën). Ai është anëtar i LDK-së dhe në zgjedhjet e kaluara komunale kishte garuar për këshilltar komunal nga kjo parti.
Lindita Rexhepi, e cila është asambliste e LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ishte pranuar në Termokos si asistente e prokurimit në vitin 2023. Edhe kur është pranuar për këtë pozitë ajo ishte asambliste e kësaj partie.
Dren Hyseni sekretar administrativ i LDK-së në Prishtinë, Dega II, si dhe i punësuar në kabinetin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, është punësuar në Termokos në vitin 2024 në pozitën e ndihmës i drejtorit të Distribuimit.
Preportr, ka evidentuar që shumë prej të punësuarve gjatë këtyre katër viteve në ndërmarrje kanë lidhje familjare me disa prej politikanëve që kanë pasur ose kanë pozita shumë të rëndësishme shtetërore.
Një pozitë në ndërmarrje ka marrë djali i ish kryetarit të Prishtinës dhe ish-deputetit Ismet Beqirit, Albin Beqiri. Ai punon si kontrollor i distribuimit.
Vesa Berisha Kupina është punësuar si Zyrtare e Lartë për Hulumtim, Analiza dhe Kontroll. Ajo është gruaja e djalit të Fehmi Kupinës, ish-kryetarit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, që vitin 2023 dha dorëheqje nga LDK.
Në ndërmarrje ka gjetur vend vëllai i deputetes së LDK-së Hikmete Bajramit. Labinot Bajrami është punësuar si vozitës në këtë ndërmarrje.
Djali i ish- ministres së arsimit Arbërie Nagavcit, Shend Nagavci është punësuar në pozitën kontrollor i distribuimit.
Mungesë transparence dhe refuzim i qasjes në dokumente
Përpjekjet për të siguruar qasje në dokumente publike nga ndërmarrja publike Termokos, janë shoqëruar me vonesa të gjata, përgjigje të pjesshme dhe arsyetime të përsëritura nga ana e menaxhmentit të ndërmarrjes.
Në janar të vitit të kaluar organizata Cohu-Preportr ka dërguar kërkesë zyrtare për qasje në dokumente publike në Termokos. Përmes kësaj kërkese janë kërkuar, lista e rekrutimeve për vitet 2020-2024, raportet vjetore financiare për periudhën 2020-2024, procesverbalet e transkriptuara të mbledhjeve të Bordit të Drejtorëve për vitet 2022-2024, si dhe Memorandumi i bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile për monitorimin e punës së ndërmarrjes.
Megjithëse ligji për qasje në dokumente publike parasheh afate të qarta për përgjigje, edhe pas më shumë se një muaji pas disa kërkesave të përsëritura Preportr ka marrë vetëm përgjigje të pjesshme. Në atë kohë, Termokos është arsyetuar se ndodhej në kulmin e sezonit të ngrohjes dhe se stafi ishte i mbingarkuar me punë, duke e paraqitur këtë si arsye për vonesën në trajtimin e kërkesës.
Pas mungesës së përgjigjeve të plota, Preportr i është drejtuar Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP). Në shkurt është dorëzuar ankesa e parë, ndërsa në mars Agjencia ka paralajmëruar ndërmarrjen për pasojat ligjore në rast se nuk lejon qasje në dokumentet e kërkuara. Edhe pas këtij paralajmërimi, Termokos ka vazhduar të arsyetohet me mungesë kohe për shkak të sezonit të ngrohjes.
Në maj, kërkesa për qasje është përsëritur. Përgjigjja e ndërmarrjes ka qenë se është duke e shqyrtuar mundësinë e lejimit të qasjes në dokumente publike. Po në këtë muaj, AIP ka nxjerrë vendim zyrtar me të cilin i kërkohet Termokosit t’i lejojë qasje organizatës në dokumentet e kërkuara.
Pas këtij vendimi, ndërmarrja ka mundësuar qasje vetëm në një pjesë të kërkesës, atë që lidhej me listën e të punësuarve. Dokumentet tjera, përfshirë procesverbalet e Bordit të Drejtorëve, nuk janë ofruar menjëherë. Pas një kërkese tjetër të përsëritur në qershor, ndërmarrja ka premtuar se procesverbalet do të dërgoheshin, por zvarritjet kanë vazhduar.
Kërkesat janë përsëritur edhe në muajt vijues deri në nëntor kur ndërmarrjes i është dhënë një afat i shkurtë nga AIP për qasje në dokumente publike dhe pas kësaj ndërmarrja i ka dërguar të gjitha dokumentet e kërkuara nga Preportr.
Ngjashëm me përvojën e Preportr, edhe konsorciumi i organizatave GLPS, GAP dhe INDEP, në kuadër të projektit CorrWatch, ka hasur në vështirësi serioze gjatë monitorimit të punës së Termokos.
Në vitin 2023 këto tri organizata kishin lidhur memorandum mirëkuptimi me Termokos. Memorandumi ishte mbështetur edhe nga Ambasada Britanike në Kosovë. Projekti kishte për qëllim mbështetjen për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve publike në Kosovë.
Memorandumi sipas këtyre tri organizatave nuk ishte respektuar nga ana e Termokos dhe ka pasur shumë vështirësi në zbatim.
Ka pasur raste kur njoftimi për mbledhje është bërë vetëm pak minuta para fillimit të saj, duke e bërë praktikisht të pamundur pjesëmarrjen efektive dhe monitorimin serioz të vendimmarrjes
Në përgjigjet e dërguara me shkrim nga ky konsorcium thuhet se, monitorimi i kësaj ndërmarrjeje publike nuk ka qenë fare i lehtë, ndërsa qasja e Bordit ndaj tyre nuk ka qenë në përputhje me standardet e transparencës dhe bashkëpunimit që priten nga një ndërmarrje publike.
“Fillimisht është zvarritur procesi i nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) mes konsorciumit dhe Termokos, për shkak të vonesave nga ana e ndërmarrjes. Edhe pas finalizimit të memorandumit, komunikimi nuk ka qenë i rregullt dhe i strukturuar”, thuhet në përgjigje.
Sipas konsorciumit, monitoruesi i tyre nuk është njoftuar rregullisht për mbledhjet e Bordit të Drejtorëve.
Shumica e ftesave për të marrë pjesë në mbledhje sipas tyre u kanë shkuar vetëm pas insistimit të vazhdueshëm nga ana e organizatave.
“Ka pasur raste kur njoftimi për mbledhje është bërë vetëm pak minuta para fillimit të saj, duke e bërë praktikisht të pamundur pjesëmarrjen efektive dhe monitorimin serioz të vendimmarrjes”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu, konsorciumit nuk i është dhënë qasje në dokumentin strategjik që lidhet me zgjerimin e rrjetit të Termokosit.
Ky dokument konsiderohet thelbësor për të vlerësuar nëse ndërmarrja po i përmbahet prioriteteve të investimeve dhe planifikimit afatmesëm. Pavarësisht kërkesave të përsëritura, ky dokument nuk është vënë në dispozicion. Sipas organizatave, zvarritje të ngjashme kanë ndodhur edhe për raporte të tjera me rëndësi.
“Probleme të trashëguara”
Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitet 2023 dhe 2024 i kanë dhënë ndërmarrjes publike “Termokos” opinion të kundërt për pasqyrat financiare një nga opinionet më serioze negative që mund të jep auditori i jashtëm. Megjithatë, Bordi i Drejtorëve i ndërmarrjes thotë se është pajtuar me të gjitha gjetjet dhe se shkaku kryesor i këtij opinioni lidhet me mosrivlerësimin e aseteve ndër vite.
Sipas kryesuesit të Bordit të Termokosit, Visar Vokrri, thotë Bordi i Ndërmarrjes në vitin 2023 kishte rishikuar buxhetin dhe njëkohësisht aprovuar buxhet të dedikuar për angazhimin e një operatori të licencuar për rivlerësim të aseteve. Ai sqaron se në procesin e prokurimit për shkak të ankesave që janë bërë nga operatorët ekonomik, lënda ka mbetur në shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për një periudhë të zgjatur.
Ai thotë se këto janë probleme të trashëguara nga vitet e mëparshme.
Ndërkaq lidhur me gjetjet tjera të evidentuara nga ZKA, ai thotë se bordi në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda kompetencave dhe përgjegjësive që ka.
“Çdo masë e kërkuar që është në përgjegjësi të Ndërmarrjes do të trajtohet me prioritet, duke siguruar zbatueshmëri të plotë të rekomandimeve dhe parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen”, thotë Vokrri.
Ndërkaq lidhur me marrjen e masave eventuale ndaj menaxhmentit për shkak të gjetjeve të ZKA-së, Vokrri ka thënë se bordi e ka shqyrtuar situatën në tërësi dhe ka vlerësuar se përpjekjet e menaxhmentit janë në përputhje me standardet profesionale dhe ligjore, duke mos parë momentalisht arsye për marrjen e masave të tjera, por duke kërkuar vazhdimisht përgjegjësi dhe transparencë në zbatimin e rekomandimeve.
“Bordi mbetet i përkushtuar që të sigurojë një nivel të lartë të llogaridhënies dhe performancës, dhe do të ndërmarrë masa të mëtejshme nëse në të ardhmen konstatohet neglizhencë apo mospërmbushje e detyrimeve nga ana e menaxhmentit”, u shpreh Vokrri.
Artikuj të ngjashëm