Ndryshimet që ndodhën afro tre muaj më parë në kreun e Qeverisë së Kosovës dhe të Parlamentit, ashtu siç paralajmëruam që atëherë, duket se do të ngelin aty ku nisen. Shpresat se më ne fund do të japin llogari ministrat e mbuluar në manipulime qenë shuar me pranimin e mandatarit të ri, zotit Agim Çeku, për të vazhduar punën me ministra të dyshuar si të inkriminuar. 

Zoti Çeku pat filluar punën me premtimin se nuk do të ketë tolerancë për korrupsionin, por në fakt u ridëshmua se kjo nomenklaturë politike nuk është e interesuar ta luftojë korrupsionin. 100 ditëshi i kërkuar ishte vetëm një blerje kohe. 

Shumë shkelje dhe keqpërdorime të ministrave aktual qenë argumentuar qysh me kohë dhe opinioni kosovar me të drejt ka pritur një ndryshim të thellë të strukturës së tanishme qeverisëse të trashëguar nga koha e ish-kryeministrave Haradinaj, respektivisht Kosumi.

Në një letër që Organizata “Çohu” e pat lëshuar për media kur u paralajmërua emërimi i zotit Çeku si kryeministër patëm dhënë vërejtjen se ky ndërrim ishte thjesht për nevojë të shtendosjes së presionit publik për keqpërdorimet e bëra në qeveri, por jo edhe ndryshim me qëllim të luftimit të korrupsionit. Një gjë e tillë po vërtetohet edhe nga deklarimet e vetë kryeministrit aktual që i bëri ditëve të fundit se ministrat nuk do të ndërrohen. U tradhtua edhe një herë shpresa e popullit për një qeverisje të mirë. Edhe nje here iu shkel dinjiteti ketij populli.

Është e qartë se zoti Çeku është shfrytëzuar nga shefi i partisë  dhe partia që e emëroi për kryeministër për të mashtruar opinionin se kinse ne po luftojmë korrupsionin. Por korrupsioni nuk mund të luftohet me njerëz të korruptuar. 

Kosovarët vazhdojnë të varfërohen çdo ditë e më shumë, në ndërkohë që ministrat vazhdojnë të ndërtojnë shtëpi të shtrenjta dhe të blejnë makina luksoze. Qeveria vazhdon të shpenzojë paratë e Buxhetit të Kosovës pa ndonjë planifikim a strategji për zhdukjen e varfërisë. Veprimet korruptive kanë dëmtuar shumë bizneset dhe kanë favorizuar interesin familjar dhe klanor, duke bërë që një pakicë të pasurohet tejmase dhe shumica të bjerë në varfëri të skajshme. Ndërkohë që udhëheqësit politik janë futur në veprime inkriminuese të cilat shfrytëzohen për t’i shantazhuar ata gjatë procesit të vendimmarrjes. Në këtë kontekst rrezikohet që këta udhëheqës të shantazhuar të bëjnë kompromise në dëm të interesit të kosovarëve ku shenjat e para të një lëshimi pe janë duke u parë në procesin e decentralizimit.

Ngjarjet që kanë ndodhur përreth liderëve të partive në koalicion që nga zgjedhjet e fundit kanë ndryshuar shumë bazën e mandatit për çka kosovarët kanë votuar. Sot është krijuar një deficit i jashtëzakonshëm demokratik dhe klasa që thirret në emër të popullit kosovar nuk e gëzon fare përkrahjen e tij. Në anën tjetër shtyerja e zgjedhjeve lokale është një vulosje e frikës së koalicionit qeveritar se më tutje nuk e ka përkrahjen e kosovarëve.

Duke i parë këto faktorë është në interes të së ardhmës së Kosovës që të gjithë njerëzit e ndershëm që janë të përfshirë në institucionet e Kosovës, qytetarët, studentët, akademikët, intelektualët, udheheqësit fetar dhe shoqëria civile të ngriten kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të shpëtuar Kosovën nga dështimi masiv, institucional dhe shoqëror. Kosova është duke ecur sigurt drejt fryerjes së presioneve sociale deri në pikën e shpërthimit. Përgjegjësinë dhe pasojat do t’i bartë kjo qeveri dhe prapaskena e tyre politike.

Por me tolerimin e kësaj qeverie pasojat më të mëdha do t’i bartë vetë populli i Kosovës. Duke kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të sinqertë dhe profesional (që gjenden në të dyja partite dhe jashtë tyre) nuk destabilizohet i ashtuquajturi ‘proces politik’. Përkundrazi, dëshmohet se Kosova ka një shoqëri të pjekur politikisht për t’u pavarësuar dhe është e përkushtuar në konsolidimin e demokracisë dhe hyrjen në Evropë. Kjo do t’i ndihmonte procesit negociator do te dukeshim me te pjekur politikisht. Nuk ka alternativë tjetër!