Organizata ÇOHU! dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese (www.preportr.com) kanë prezantuar numrin më të ri te magazinës Preportr në të cilin publikohet hulumtimi mbi sabotimin Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) nga ndërkombëtarët e vendorët, nga njerëzit e Kryeministrit Hashim Thaçi e këshilltarët e USAID-it. Pos përfitimit të grupeve të ndryshme të interesit, hulumtimi nxjerr edhe se këshilltarët ndërkombëtarë punuan në drejtim të sabotimit të kësaj korporate për të bërë terrenin për privatizimin e distribucionit.

Në konferencën për shtyp të mbajtur me këtë rast janë prezantuar fakte që çojnë në konstatimet se KEK është foleja ku keqpërdorimet kanë në përgjithësi vlera milionëshe, ku ndikimi politik është i pashmangshëm, e ku më të dëmtuarit dalin konsumatorët kosovarë e më të shpërblyerat kompanitë serbe.

Hulumtimi nxjerr se edhe hetuesit e Komisionit Evropian gjetën përfitime milionëshe nga ndërkombëtarët e vendorët, por që drejtësia i ka heshtur këto raste. KEK-u pashmangshëm del si Korporata e Korrupsionit pasi që shpërblimi i kompanive që dështuan investime milionëshe si dhe i atyre që nuk i përmbushën kontratat është fenomen mbizotërues.

Ngushtë i lidhur me tenderët e KEK-ut, bllokimit të prodhimit në disa raste për të blerë rrymë nga kompanitë e huaja, që kryesisht janë serbe, nga hulumtimi del të jetë kushëriri i Kryeministrit Hashim Thaçi, Nijazi Thaci. Hulumtimi i Preportr dhe Organizatës ÇOHU! ka nxjerrë edhe se këshilltarët e huaj në KEK pyeten që nga blerjet e mëdha, tek dokumentet strategjike e deri në largim të punëtorëve nga puna.

Nga komunikimet interne shihet se këshilltarët e huaj kontrollojnë prokurimin dhe blerjet që kapin vlera milionëshe, por fuqia vendim-marrëse e tyre shkon deri aty sa edhe i rekomandojnë menaxherëve të distrikteve rajonale që të përjashtojnë punëtorë nga puna.

Këta këshilltarë, komunikojnë/ndikojnë edhe deputetët kur duhet votuar ndonjë dokument i rëndësishëm. Në anën tjetër, ata nuk i japin llogari askujt. Po ashtu ata nuk marrin përgjegjësi për dështimet. Janë të padukshëm e të paprekshëm. Koka e këtyre këshilltarëve që kontrollojnë po thuajse gjithçka në KEK, sipas hulumtimit të Preportr, del të jetë shefi i këshilltarëve të USAID-it në këtë korporatë, Masoud Keyan.