Organizata Çohu!, ka mbajtur sot një ligjëratë me nxënësit e Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Komunën e Podujevës, e cila kishte si temë rrezikun nga dezinformatat dhe lajmet e rreme. Gjatë ligjëratës, nxënësve u është folur për natyrën e dezinformatave dhe lajmeve të rreme, grupet e targetuara të këtyre lajmeve dhe rëndësinë e verifikimit të informacionit.
Gjatë ligjëratës një theks i veçantë iu kushtua parandalimit të lajmeve të rreme, dezinformatave dhe mënyrës së verifikimit të tyre. Nxënësve u është shpërndarë nga një broshurë përmbledhëse për temën e përgatitur nga Çohu! Paraprakisht, nxënësit plotësuan edhe një anketë, qëllimi i se cilës është të vlerësohen njohuritë e përgjithshme të tyre për këtë temë.
Kjo ligjëratë është realizuar në kuadër të projektit me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe do të vazhdojë edhe në 12 shkolla të mesme të komunave të ndryshme të Kosovës.