Ky publikim është rezultat i hulumtimeve, intervistave dhe shkrimeve të cilat tregojnë mbi gjendjen e mjedisit në Kosovë, të cilat janë realizuar nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese - Preportr e cila funksionon në kuadër të Organizatës Çohu!.

Si burime primare të këtij publikimi janë përdorur disa hulumtime të realizuara vite më parë nga Preportr e të cilat janë:  

“Llumi jonë”, shkrim ky i publikuar në vitin 2014 nga Preportr i cili tregon rreth gjendjes së deponive të mbeturinave në Kosovë, si dhe rrezikut në disa aspekte i cili kanoset nga këto deponi.  

“Industria e Shkatërrimit” , ky hulumtimi që është publikuar në vitin 2019 trajton degradimin e mjedisit nga gurthyesit dhe eksploatuesit e zhavorrit. Gjithashtu janë hulumtuar të gjitha kompanitë që kanë marrë licenca për eksploatim të rërës, zhavorrit dhe gurit, për të parë lidhjet e tyre me partitë politike dhe është gjetur se disa nga operatorët janë të afërt me zyrtarët shtetëror, partitë politike dhe politikanët. Një pjesë e tyre janë evidentuar se janë edhe financues të partive politike.  

 

“Fati i zi i Drinit të Bardhë”, gjithashtu përmes këtij hulumtimi është pasqyruar gjendja e Drinit të Bardhë, i cili është lumi më i dëmtuar në Kosovës për shkak të eksploatuesve ilegalë të rërës dhe zhavorrit. Të dhënat dhe gjendja faktike aktuale janë përditësuar, pasi që Preportr ka realizuar disa hulumtime lidhur me degradimin e lumenjve në Kosovë.  

“Amnistimi i degraduesve të mjedisit”, hulumtim ky i cili tregon dështimin e institucioneve të drejtësisë në mbrojtjen e mjedisit. Mijëra lëndë të cilat lidhen me fushën e mjedisit janë parashkruar ndër vite nga gjykatat e vendit, ndërsa nga prokuroritë e vendit shumë kallëzime penale janë hedhur poshtë pavarësisht se dëmet në terren janë evidente.  

Si burime sekondare janë marrë për bazë intervistat e realizuara me KMDK, MMPHI si dhe të dhëna të tjera të cilat kemi arritur t’i grumbullojmë nga vizitat në terren të cilat i ka realizuar ekipi i Preportr.  

Gjatë përgatitjes së këtij publikimi, ekipi i Preportr ka dalë në terren dhe ka shikuar gjendjen aktuale në terren të deponive, lumenjve dhe gurthyesve. Përmes këtij raporti është paraqitur gjendja aktuale, duke e krahasuar me atë të viteve paraprake.   
 

10_-_DEGRADIMI_I_VAZHDUESHËM_MJEDISOR_-_ALB05_r_653261-1
Lexo raportin e plotë