Kjo analizë e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (Dokumenti i Ahtisaarit) do të zbërthejë Dokumentin duke u nisur nga premisat që dalin nga anekset dhe nenet e Dokumentit për të argumentuar se vlerësimet dhe qëndrimet e Grupit Negociator të Kosovës (GN) janë më shumë dëshira të pabazuara dhe interpretime të lira sesa studim real i substancës së Dokumentit të Ahtisaarit.

Në përgjithësi Dokumenti i Ahtisaarit legjitimon strukturat paralele të serbëve në Kosovë, legjitimon prezencën e Serbisë në Kosovë dhe u jep shtytje kërkesave seperatiste të tyre. Së pari, propozimi krijon mundësinë për komunat serbe që të krijojnë një lloj entiteti të pavarur nëpërmjet një organi ndërkomunal me të drejtë vendim-marrjeje duke krijuar një nivel të mesëm qeverisjeje dhe, së dyti, krijon mundësinë e lidhjes institucionale të këtij entiteti me shtetin serb duke anashkaluar institucionet qendrore kosovare.

Kështu në Kosovë me këtë dokument po krijohet entiteti serb i cili nuk është i lidhur me Prishtinën si qendrën e tij, ku ekziston një mungesë e theksuar e subordinimit të njësive lokale të pushtetit ndaj qendrës, gjë që krijon kushte për krijimin e një entiteti serb me mundësi të lidhjes direkte me Serbi. Poashtu, çështja e mohimit të sovranitetit të Serbisë është një gjë që nuk mund të konstatohet nga Dokumenti, por edhe nuk ka ndonjë dispozitë që domosdoshmërisht çon drejt pavarësisë së plotë të Kosovës.

Lista e dokumenteve