Komunikata
Kosova C 2100MW, mashtrim dhe tradhtim i interesave të Kosovës PDF Print E-mail

LogoVendimi i qeverise se Kosovës për ndërtimin e termocentralit Kosova C me kapacitet prej 2100MW dhe dhënien e minierës së Sibovcit me koncesion prej 40 vitesh investitorit të huaj është mashtrim dhe tradhtim i interesave të qytetarëve të Kosovës. Kryeministri Thaçi dhe qeveria të cilën ai udhëheq u treguan shpërfillës ndaj zërave kosovarë të cilët kërkonin nga ai që të mbrojë interesin e Kosovës në këtë projekt.

 

Forumi 2015, Grupi i Ekspertëve, Organizata ÇOHU!, Lëvizja Vetëvendosje, parti opozitare të ndryshme e grupe të tjera kërkuam vazhdimisht nga qeveria e Kosovës që mos të jap me koncesion pasurinë nëntokësore të Kosovës, minierën e Sibovcit, që mos t’iu nënshtrohet presioneve nga kompanitë e huaja dhe përfaqësues ndërkombtarë në Kosovë për një projekt eksploatues 2100MW.

 

 

Ka qenë rekomandim edhe i ekspertëve kosovarë të energjetikës në letrën e hapur dërguar kryeministrit, presidentit dhe parlamentit të Kosovës, që mos të ndërtohen më shumë se 500-600 MW sepse Kosova nuk ka nevojë për më shumë se aq si dhe i ofruan zgjidhje konkrete sesi të ndërtohen këto kapacitete me para të Kosovës nga fondi i privatizimit, nga suficiti i PTK-së, nga suficiti buxhetor, fondi pensional, si dhe me ndonjë kredi të vogël ndërkombtare. Kosova duhet ta orientojë zhvillimin e vet ekonomik drejt fushave tjera e jo drejt energjetikës e cila e pamundëson zhvillimin e bujqësisë sepse do të shkaktojë krizë të ujit, do të ndotë ambientin dhe do ta kthejë Kosovën në kontejner të Ballkanit. Për më shumë, me një investim kaq të lartë të huaj Kosova do të shndërrohet në koloni të këtij investitori. Dhe përveç Kosovës C, nëse ne shesim edhe Kosovën B, PTK-në, japim Aeroportin me koncesion, atëherë shtrohet pyetja logjike: a do të kemi ne ekonomi? Dhe nëse s’kemi ekonomi a mund të kemi shtet?

 

 

Plani Kosova C ka qenë plan i Serbisë në kohën e Jugosllavisë për të eksploatuar pasuritë e Kosovës duke e kthyer atë në djerrinë në mënyrë që pjesët tjera të atij shteti, veçanërisht Serbia të mund të zhvillohen ekonomikisht në fusha më të qëndrueshme si industria dhe bujqësia. Kundër këtij projekti serb ekspertët kosovarë kishin luftuar me vendosmëri dhe guximshëm në atë kohë. Ironikisht atë që nuk e arriti Serbia, e arriti kryeministri Thaçi dhe ministri i ekonomisë Ahmet Shala.

 

 

Me këtë vendim të sotshëm u dëshmua se Hashim Thaçi dhe Ahmet Shala nuk janë përfaqësues të interesave të popullit të Kosovës (votat e të cilit këta pretendojnë t’i kenë), por thjesht një administratë që zbaton urdhërat e USAID-it dhe kompanive të huaja. Plani që  u shpall sot është tamam siç ka kërkuar USAID-i, dhe në kundërshtim të plotë me interesin e Kosovës. Për Organizatën ÇOHU! është e habitshme sesi njeriu që drejtoi një ushtri çlirimtare, sot e shet vendin e tij? Si është e mundur që Hashim Thaçi dikur drejtor politik i UÇK-së, sot është plotësisht i shkëputur nga populli i tij dhe u shërben interesave të huaja? Ai që pretendon se ka luftuar për pavarësinë e këtij vendi, sot po e zhbën atë duke e shitur copë-copë. Përveç korrupsionit ne nuk mund të vijmë deri te ndonjë konkludim logjik tjetër.

 

 

Sinqerisht,Organizata ÇOHU!

15 korrik, 2009.

 

Komentoni

Emri i juaj:
Subjekti:
Komenti:

Aktivitetet e Organizatës Cohu! në foto

05.jpg

Kërko

Anketë

A mendoni se Kryeministri Thaqi po bënë punë të mirë?